Teuta ka nisur stërvitjen me “marshin” e pestë. Klubi po nxiton që të kompletojë grupin sa më shpejt për të qenë gati për startin e sezonit 2025-2026. Ashtu si shumica e klubeve të Kategorisë Superiore, blutë kanë zbritur në fushë më 30 qershor. Ndërkohë që pritet të plotësohet sa më shpejt grupi i futbollistëve. Me seancën e së shtunës paradite, Teuta ka mbyllur javën e dytë stërvitore. Trajneri Dobi ka testuar të shtunën grupin e lojtarëve që ka pasur në dispozicion, përfshirë edhe të ardhurit e ditëve të fundit. E diela është lënë pushim nga stafi teknik, ndërkohë që skuadra rikthehet në fushë ditën e parë të javës.

Të martën ekipi niset drejt Maqedonisë, ku do qëndrojë rreth 10-11 ditë dhe do të zhvillojë edhe tri ndeshje miqësore në Ohër. Kalimi në këtë fazë do t’i mundësojë trajnerit Dobi të provojë variante të ndryshme, që janë më pranë realitetit të lojës në fushë. Kreu i pankinës durrsake do të ketë rastin për të eksperimentuar diçka më shumë sa i përket formacionit, sigurisht me vetëm 10 futbollistë, pra pa portierin, ku ndeshjet brenda grupit kanë përparësi.

Kjo fazë e tretë pritet të forcojë ndjesinë e stërvitjes në grup dhe rikthimit në normalitet, krejt ndryshe nga faza hapëse që shërbeu për ambientimin pas pushimeve të gjata. Me grumbullimin e lojtarëve në qendrën stërvitore, është përcaktuar që java e re të nisë me dy seanca në ditë, me testet fizike paradite dhe ato taktike pasdite, që janë përcaktuar nga stafi teknik. Në mungesë të sfidave në fushën e lojës, duket se çdo gjë po ecën mirë për durrsakët. Në Durrës kanë kohën e duhur për afrimet, të cilat do jenë të mirëmenduara.