Një panel mozaiku erotik, i vjedhur nga Pompeii nga një kapiten gjerman i Wehrmacht-it gjatë Luftës së Dytë Botërore, është rikthyer më në fund në vendin e tij të origjinës —në rrënojat e lashta romake të Pompeiit.
Relikja, që përshkruan një çift të përqafuar dhe daton nga mesi i shekullit të parë para Krishtit deri në shekullin e parë pas Krishtit, ishte bërë pjesë e trashëgimisë së një qytetari të ndjerë gjerman. Ai e kishte marrë mozaikun si dhuratë nga një oficer përgjegjës për zinxhirin e furnizimit të ushtrisë naziste në Itali.
Zbulimi i prezencës së mozaikut në Gjermani u bë vetëm pas vdekjes së zotëruesit të tij. Familjarët e tij kontaktuan skuadrën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të Karabinierëve italianë në Romë për t’u këshilluar sesi ta dorëzonin veprën autoriteteve italiane.

Pas verifikimit të origjinalitetit të mozaikut – që mendohet të ketë zbukuruar dyshemenë e një dhome gjumi në një shtëpi në Pompeii – riatdhesimi i tij u organizua nga konsullata italiane në Stuttgart.
Për momentin, mozaiku do të ruhet në Pompeii Antiquarium, muzeu që strehon relikte të gjetura gjatë gërmimeve në parkun arkeologjik, në pritje të studimeve dhe analizave të mëtejshme.
Që nga krijimi në vitin 1969, njësia speciale e Karabinierëve ka rikuperuar mbi 3 milionë artefakte të vjedhura nga vende kulturore italiane.
Qyteti i Pompeit u varros nën hirin e malit Vezuv pas shpërthimit katastrofik në vitin 79 pas Krishtit dhe qëndroi i fshehur deri në zbulimin e tij në shekullin e 16-të.





