Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje që ndodhi më 8 korrik në Mat.

Sipas hetimeve, tre vëllezër nga Tropoja, Kristi, Fatjon dhe Aleksandër Bushgjokaj, të vendosur në Kamëz, si dhe Petrit Çakrri, dyshohet se planifikuan me kujdes krimin duke përdorur disa automjete me qira. Makinat janë marrë në Rinas dhe Yzberisht disa ditë para ngjarjes dhe janë ndërruar disa herë për të shmangur ndjekjen e policisë.

Autorët kanë ndjekur lëvizjet e viktimës për disa ditë në Burrel, deri në mbrëmjen fatale kur dyshohet se e morën peng, e mbytën me litar dhe më pas e hodhën në liqenin e Shkopetit.

Njëri prej vëllezërve Bushgjokaj akuzohet për ndihmë ndaj autorëve të krimit, pasi dyshohet se ka ndihmuar vëllezërit e tij të arratisen drejt Kosovës, ndërsa këta të fundit akuzohen për bashkëpunim në vrasje.

Hetuesit kanë zbuluar se autorët kanë tentuar disa herë të çaktivizojnë pajisjet GPS të automjeteve me qira, por pa sukses.

Paralelisht, Policia po verifikon edhe një pistë tjetër: ajo e një porosie nga persona të tretë, përtej konfliktit të mundshëm personal mes autorëve dhe viktimës.