Një 56-vjeçar shqiptar, i dënuar nga Italia me 25 vjet burg, për vepra të rënda penale është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë dhe ka mbërritur sot në Aeroportin Fiumicino të Romës.
Bëhet fjalë për shqiptarin me tre emra, Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, i cili është dënuar nga Gjykata e Salernos, Itali, me 25 vjet burgim, për bashkëpunim në organizatë kriminale, rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje, shkelje të ligjit për armët dhe trafik droge në sasi të mëdha.
Në vitin 2013 kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të lëshuar nga një Gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine.
Hetimet e autoriteteve italiane kanë zbuluar se i ekstraduari ka qenë pjesë dhe udhëheqës i një organizate ndërkombëtare të trafikimit të drogës, me rrjete të zgjeruara ndërmjet Amerikës së Jugut, Italisë dhe Shqipërisë, që operonte veçanërisht gjatë viteve 1990 dhe 2000.
Ai dyshohet të jetë i përfshirë në një rast rrëmbimi të ndodhur në rajonin Piemonte në vitet ’90, si dhe në bashkëpunim me grupe kriminale në provincën e Salernos, të përfshira në trafikun e heroinës dhe në importimin e sasive të mëdha të drogës drejt Italisë.
Kujtojmë se 56-vjeçari u ekstradua vitin e kaluar nga SHBA në Shqipëri.





