Kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është dërguar ditën e sotme në një spital privat në qytetin e Durrësit, pas disa shqetësimeve shëndetësore që ka shfaqur gjatë ditëve të fundit në paraburgim.
Burime konfirmojnë se Veliaj iu nënshtrua disa ekzaminimeve dhe analizave mjekësore dhe qëndroi në klinikë për rreth dy orë.
Pas përfundimit të kontrolleve, ai është rikthyer në ambientet e paraburgimit të Durrësit, ku ndodhet aktualisht.
Erion Veliaj u arrestua mesditën e 10 shkurtit me urdhër të SPAK. Ndaj tij rëndojnë akuzat si korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Veliaj do të vijojë të qëndrojë në qeli pa afat, pasi edhe shkalla e tretë e gjyqësorit, Gjykata e Lartë, vlerësoi më 8 korrik, se masa e sigurisë “arrest në burg” nuk duhet të ndryshojë.
Erion Veliaj ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë, duke pretenduar se ajo është ekstreme dhe nuk i përgjigjet nevojave të hetimit.
Nga ana tjetër SPAK e dyshon atë si të përfshirë në korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim pasurie bashkë me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa.





