Shqipëria është në krye të sugjerimeve të mediave italiane për pushimet e kësaj vere.
E përditshmja “Il Messaggero” e ka renditur vendin tonë në një listë me 10 destinacionet kryesore në Europë ku mund të kalohen pushime të mrekullueshme në plazh pa shpenzuar shumë.
Mes emrave të njohur si Kroacia, Turqia, Malta e Portugalia gjendet edhe Shqipëria.
“Il Messaggero” shkruan se për pushime me kosto të ulët në Shqipëri mund të merren në konsideratë destinacione si Saranda, Ksamil, Dhërmiu, Himara dhe Vlora, të njohura sipas asaj për plazhet e tyre marramendëse dhe çmimet e përballueshme.
“Mund të gjeni akomodime të llojeve të ndryshme me çmime të përballueshme, si shtëpi mysafirësh familjare ose hotele private, dhe të shijoni kuzhinën vendase me çmime të arsyeshme”, thuhet në shkrim.
Gazeta italiane nënvizon se një nga destinacionet më të rekomanduara në Shqipëri është padyshim Ksamil, një fshat shqiptar pranë Sarandës dhe shumë pranë Greqisë, që ofron ujëra të kaltër, plazhe të bardha dhe një det aq kristalor sa duket pothuajse i pabesueshëm.





