Janë publikuar pamjet e para nga vendngjarja ku në orët e para të mëngjesit të sotëm ndodhi një shpërthim me lëndë plasëse pranë derës hyrëse të një lokali në pronësi të shtetasit A. S., në Rrugën e Durrësit.
Në videot e siguruara nga vendngjarja duken qartë xhamat e thyer të lokalit dhe dëme të lehta në hyrje. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të kufizuara, pavarësisht shpërthimit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 03:45, në Rrugën e Durrësit, në lokalin në pronësi të shtetasit A. S., dyshohet se ka plasur një sasi e vogël lënde plasëse, e vendosur pranë derës hyrëse të lokalit.
Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nuk ka persona të lënduar.
Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





