Pas ndërhyrjes së IKMT për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, ka nisur zyrtarisht faza e rehabilitimit të këtij destinacioni të rëndësishëm turistik në veri të Shqipërisë.

Fotot e shpërndara nga Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, tregojnë pastrimin e plotë të qendrës së fshatit nga inertet dhe mbjelljen e saj me bar, për t’i rikthyer zonës pamjen e saj karakteristike dhe natyrore.

“Qendra e Thethit po merr sërish frymë,” shkruan Beci, duke theksuar se ndërhyrjet synojnë jo vetëm restaurimin estetik të zonës, por edhe mbrojtjen e vlerave të saj mjedisore dhe kulturore.

Aktualisht, punimet për rehabilitimin dhe pastrimin po vijojnë me mbështetjen e forcave të ushtrisë dhe strukturave të Bashkisë Shkodër, në disa pika të tjera të fshatit.

Shembjet e ndërtimeve pa leje në Theth ishin pjesë e një fushate kombëtare për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe për garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit malor në Shqipëri.