Gramshi, një nga qytetet që ka fituar emër për kultivimin e livandos, është kthyer vitet e fundit në një qendër të rëndësishme të kësaj bime medicinale në Shqipëri. E njohur për aromën karakteristike dhe vetitë kurative, livandoja është një burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë familje të zonës.

Në zonën e Kushovës dhe Dotirës janë kultivuar 230 hektarë me livando, ndërsa prodhimi eksportohet në 16 shtete të ndryshme. Por, pavarësisht potencialit, ky vit ka qenë sfidues për fermerët për shkak të kushteve të pafavorshme klimatike dhe mungesës së tregut të rregulluar.

“Livando këtë vit është shumë e dobët për shkak të thatësirës. U bë para kohe dhe nuk ka cilësinë e viteve të kaluara. Çmimin e vendos tregtari i madh si të dojë vetë, ne nuk kemi fuqi të negociojmë. Kultura kërkon punë: do prashitje, pleh, korrje, shkoqje, sitje – e gjitha deri sa ta japësh të gatshme. Livando origjinale e kemi trashëgimi që nga koha e monizmit. 3 vitet e para të jep shumë pak, vetëm një fije, pastaj krijon kurorë dhe jep prodhim. Pra shitet tri herë në vit. Nuk e vadisim, prandaj është edhe më e vlerësuar, por nuk të pranojnë nëse ka plehra kimikë. Cilësia varet nga koha dhe mbledhja”, thotë një fermer.

“Kam 2 dynym e gjysmë. E solla nga ara, po e trazoj, e kthej që të thahet, pastaj do e shkoq, sit, fut në thes dhe pres për ta shitur. Viti nisi mirë, por vapa e ktheu mbrapsht. Nuk ka rendiment si herët e tjera, nuk gjen më livando si më parë. Është shumë e vështirë, kërkon punë në vapë”, shprehet një tjetër.

Përveç kushteve të motit, një tjetër problem madhor për fermerët është edhe çmimi i shitjes, që sipas tyre vendoset nga tregtarët pa asnjë standard apo kontroll.

“Deri vitin e kaluar e shisnim me 150 lekë/kg, këtë vit as nuk thonë çmim fare. Dikur shkonte 350 lekë, pastaj 250, tani ka rënë shumë. Pas prishjes së sistemit, e kam mbjellë në kodër. Por tani mezi nxjerrim ndonjë fitim”, thotë një fermer.

Pavarësisht potencialit të madh që ka livando për ekonominë lokale dhe eksportin, fermerët e Gramshit kërkojnë më shumë mbështetje institucionale, rregullim të tregut dhe subvencione konkrete për të përballuar kostot në rritje dhe sfidat klimatike. /EuronewsAlbania