Malcolm-Jamal Warner ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare si pasojë e një mbytjeje aksidentale,  shkruan The Guardian.

Aktori humbi jetën  në brigjet e Kosta Rikës pasditen e së shtunës, ka konfirmuar policia vendase për ABC News. Sipas një sinjalizimi, dy burra u tërhoqën nga rrymat detare ku njëri u shpëtua dhe u dërgua në spital në gjendje kritike për jetën, ndërsa Warner u gjet të dielën.

Ai e preku famën përmes rolit të Theo Huxtable në një telenovelë të NBC që u transmetua nga viti 1984-1992 dhe  fitoi një nominim Emmy. Më pas ai vijoi me role në “Malcolm & Eddie” dhe “Magic School Buss”, “Reed Between the Lines” si dhe mori pjesë në role episodike në seriale  të ndryshme.

Lindur dhe rritur në New Jersey, Warner ndoqi  liceun artistik në New York para se të fitonte rolin në Cosby Show. Ai vijoi ta mbronte trashëgiminë e  serialit si një portretizim revolucionar  të një familjeje amerikane me ngjyrë, edhe pse e pranoi që reputacioni i tij kishte ndryshuar pas dënimit të Bill Cosby në vitin 2018 për sulm seksual (që më vonë u rrëzua për shkak të një çështjeje teknike).

Mbi  60 gra e kanë akuzuar Cosby për ngacmim seksual  e deri në përdhunim, ku shpesh përfshihej edhe intoksikimi  me narkotikë.

Warner ka lënë pas gruan dhe vajzën, identitetet  e të cilave nuk i bëri kurrë publikë.