Çifti italian më i ndjekur ndonjëherë në rrjetet sociale, falë edhe martesës luksoze në vitin 2018 në Siçili, nuk ekziston më as ligjërisht.
Mes Fedez dhe Chiara Ferragni gjithçka ka marrë fund, tashmë zyrtarisht. Burime pranë ish-çiftit kanë konfirmuar se Gjykata e Milanos ka dhënë vendimin për zgjidhjen e martesës, shkruan Ansa.
Fedez dhe Ferragni kanë firmosur një marrëveshje ku të dy kanë kujdestari të përbashkët të fëmijëve dhe takimet do të jenë thuajse të barabarta. Nuk është parashikuar asnjë pension për ta dhe as për blogeren. Shpenzimet shkollore dhe higjienike i janë ngarkuar Fedez.
Marrëveshja u konsiderua e përshtatshme nga gjykata.
Pa zënkë apo hakmarrje, një nga historitë më të famshme dhe të përfolura të dashurisë të viteve të fundit, mbyllet përgjithmonë. Ajo nisi në vitin 2016 pas një takimi të përbashkët gjatë një dreke mes miqsh në dhjetorin e 2015-ës dhe kulmoi me një dasmë në Noto të Sirakuzës.
Miliona ndjekës ndoqën dasmën me “hashtag”-un #theferragnez, që më vonë u kthye edhe në një dokumentar “reality” në Amazon Prime Video në vitin 2021.
Kohët e bukura të një çifti që nuk ekziston më, por ia doli të vuloste një divorc të paqtë.





