Vëllai i 56-vjeçarit, që u vra mbrëmjen e djeshme (23 korrik) nga e bija e tij, ka folur për mediat ku ka treguar detaje nga ngjarja.
I tronditur nga vrasja e vëllait të tij, Ferdinand Rama, tha se viktima kishte dy vajza, ndërsa pohoi se të gjithë e dinin që i vëllai nuk kishte raporte të mira me bashkëshorten, e cila ndihmoi të bijën të zhdukte gjurmët e krimit makabër.
Ferdinand Rama i cili jeton ne Greqi tha se kishte 2 vite e gjysmë që nuk fliste me të vëllanë, pasi nuk e lejonte bashkëshortja e këtij të fundit.
Ferdinand Rama, vëllai i viktimës: E kemi ditur edhe më përpara, nuk shkonin mirë. Ajo thoshte nuk e dua burrin. Merreni, mbajeni ju, merrni pensionin dhe bëni çfarë të doni. ‘Unë nuk e dua’, thoshte ajo. Po punonte vëllai. Çifti kanë dy çupa.
Unë e mora vesh ngjarjen nga kunata. Lajmëroi gruan time, e mori në telefon dhe tha që ka vdekur Anesti. Kam rreth dy vite e gjysme që nuk flisja me vëllanë, se nuk e linte ajo të llafoseshim. Për të pyetur pyesja vëllanë tjetër, i thosha si është Anesti. Mirë është thoshte, por është pak i dobët, ka pak kollë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme (23 korrik) rreth orës 23:00 në banesën e viktimës në fshatin Frashër të Fierit. Anesti Rama 56 vjeç u vra nga vajza e tij, Emelinda Rama 26 vjeç.

Gazetari Igli Çelmeta raporton se 26-vjeçarja jetonte në banesën e prindërve të saj për kohësh, pasi ishte ndarë nga partneri i saj.
Por 26-vjeçarja nuk veproi e vetme në këtë krim makabër. Ishte pikërisht nëna e saj, njëkohësisht bashkëshortja e viktimës, që ndihmoi të bijën të fshihte gjurmët e krimit duke pastruar trupin e 56-vjeçarit, Anesti Rama.
Në dëshminë e saj në polici, e reja ka pranuar krimin duke deklaruar se babai i saj ishte fanatik dhe nuk e lejonte të dilte e te vishej si ajo donte.
Kujtojmë se 26-vjeçarja pasi mbyti babanë me tel, e raportoi ngjarjen në polici si aksidentale. Ajo kallëzoi në polici se i ati humbi jetën aksidentalisht në banesën e tyre, në fshatin Frashër
Një dite me parë ajo deklaroi në polici se i ati kishte ndërruar jetë, sepse ishte rrëzuar ne tualet. Pas hetimeve dhe këqyrjes paraprake të trupit te viktimës grupi hetimor konstatoi se 56-vjeçari kishte shenja në fyt dhe se ishte mbytur.
26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e viktimës, shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit.
53-vjeçarja është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcaktuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast.
Në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë njoftim shtesë për përgjegjësinë penale të kësaj shtetaseje.
Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.





