Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy persona të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj një gjyqtari në një çështje penale të vitit 2020.

Të pandehurit Astrit Vladi dhe Erida Lazimi do të përballen me drejtësinë për akuzat përkatëse sipas nenit 245/1 të Kodit Penal (në versionin para ndryshimeve të vitit 2021). Sipas hetimeve, Astrit Vladi i kërkoi avokates Erida Lazimi të ndikonte në mënyrë të paligjshme te gjyqtari i çështjes penale kundër Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për mosdeklarim të hollash në kufi.

SPAK thotë se Lazimi pranoi të ndërmjetësonte ndikimin te gjyqtari i Gjykatës së Tiranës kundrejt një përfitimi të parregullt monetar, me synim që të favorizonte të pandehurit në atë procedim.

Kjo çështje është ndarë nga një procedim më i gjerë penal, që përfshin edhe akuza për korrupsion, trafik droge dhe pastrim parash. SPAK njofton gjithashtu se vijon hetimet për elementë të tjerë të përfshirë në episode të korrupsionit aktiv e pasiv në sistemin e drejtësisë.

Dosja tashmë i është kaluar Gjykatës për shqyrtim të mëtejshëm.