Revista katalanase “El Nacional.cat” i ka kushtuar një artikull të gjatë Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një nga vendet më të bukura dhe ende të paprekura nga turizmi masiv në Europë.
Gazetarja Alba Solé Ingla rekomandon Shqipërinë si një destinacion tërheqës për pushuesit që kërkojnë natyrë, histori dhe kuzhinë autentike. “Ky vend ballkanik po fiton titullin si parajsa e panjohur e Mesdheut,” shkruan ajo.
Plazhe parajsore dhe atraksione natyrore
Artikulli ndalet te Riviera Shqiptare, duke përmendur sidomos Ksamilin me rërën e bardhë dhe ujërat kristal tërheqëse. Afërsia me ishullin grek të Korfuzit dhe atraksione si Syri i Kaltër dhe Parku i Butrintit e bëjnë zonën një destinacion të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.
Përmendet se pjesa më e madhe e plazheve janë private, ku çmimi për një set me shezlong dhe çadër varion nga 5 deri në 8 euro gjatë ditës.
Ecje malore dhe fshatra tradicionale
Shqipëria përshkruhet si një vend malor ideal për adhuruesit e natyrës. Në veri, Thethi dhe Valbona cilësohen si destinacione perfekte për ecje dhe eksplorim. “Thethi është një fshat i vogël që për vite me radhë mbeti i izoluar, por sot tërheq gjithnjë e më shumë turistë,” shkruan autorja.
Gjithashtu, artikulli ndalet te qytetet historike Gjirokastra dhe Berati, të dyja të mbrojtura nga UNESCO për trashëgiminë kulturore. Gjirokastra përmendet për qendrën historike dhe kalanë, ndërsa Berati njihet si “qyteti i një mbi një dritareve”, me ndërtesa që ruajnë stilin osman e bizantin.
Kuzhina shqiptare – një surprizë për shijen
El Nacional vlerëson edhe gastronominë shqiptare, që përshkruhet si një përzierje mes ndikimeve turke, ballkanike dhe mesdhetare. Ndër pjatat tipike përmendet byreku, por edhe mishi dhe peshku në skarë që ofrohen me çmime të përballueshme.





