Policia ka sekuestruar një automjet të Ermir Ndrejajt, i cili u vendos ditën e djeshme në pranga pas një operacioni të urdhëruar nga SPAK.

Pasi janë kryer kontrolle në banesën e Ndrejajt, është sekuestruar një “G Class”.

Në lidhje me këtë aksion janë vënë në pranga edhe vëllezërit Artur dhe Ervin Hoxhosman, si dhe Ilir Lloshi.

Arrestimi i tyre erdhi pas përgjimeve të komunikimit në aplikacionin Sky Ecc.

Ai dyshohet si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës nga Amerika Latine në Evropë.

Sipas SPAK, ky grup i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Evropian si dhe në Britaninë e Madhe.  Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të mëdha si Anvers (Belgjikë), Rotterdam (Holandë), apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit (Channel Tunnel) për në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.

“Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirëorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.

Organizimi i grupit ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara. Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi. Shumica e tyre jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Poshtë tyre vepronin bashkëpunëtorë që siguronin logjistikën dhe transportin. Këta persona gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao. Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte një tjetër hallkë e grupit – ajo e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore.

Në origjinën e ngarkesave, në vendet e Amerikës Latine, qëndronin persona të paidentifikuar që shërbenin si pika kontakti. Ata ishin përgjegjës për sigurimin, ambalazhimin dhe dërgimin e drogës drejt porteve evropiane.

Gjithçka mbahej në kontroll nëpërmjet një komunikimi të koduar, aplikacionit Sky/ECC. Përdoruesit mbuloheshin pas pseudonimesh dhe kodeve PIN, që garantonin anonimitetin dhe shmangien e përgjimeve. Komunikimet përfshinin planet për dorëzime, paralajmërime për kontrolle doganore dhe udhëzime për mënyrën e reagimit në rast sekuestrimesh. Në raste dyshimi, telefonat fshiheshin, shkatërroheshin ose hidhnin për të mos lënë gjurmë.

Në aspektin e kryerjes së pagesave, grupi kishte zbatuar një metodë të sofistikuar për të shmangur sistemin bankar tradicional: sistemin informal të pagesës Hawala. Ky mekanizëm mundësonte transferimin e shumave të mëdha parash midis vendeve të ndryshme pa kaluar përmes kanaleve financiare formale, duke shmangur kështu gjurmët zyrtare të transaksioneve. Kjo formë pagesash përdorej për të fshehur origjinën dhe destinacionin e të ardhurave nga trafiku i drogës. Verifikimi i shumave bëhej përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike që funksiononin si “token” për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës në pikën përkatëse.

Ky grup kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Nga komunikimet del qartë që sigurimi i bashkëpunimit me doganierë ose personel të porteve shihej nga drejtuesit e këtij grupi kriminal si faktor vendimtar për suksesin e kryerjes së trafikut të narkotikëve prej tyre”, sipas SPAK.