Avokatët e Erion Veliajt, i cili është marrë i pandehur nga SPAK, kanë pretenduar shkelje të ligjit dhe nxjerrje të sekretit hetimor lidhur me dosjen e kryebashkiakut të Tiranës.

Sipas tyre, ka përpjekje të përsëritura për të shndërruar një procedim penal në një gjyq publik.

“Më shqetësuese është fakti që këto rrjedhje ndodhin gjatë fazës së hetimeve paraprake”, theksohet në reagimin e publikuar në faqen zyrtare në FB të Erion Veliajt.

Avokatët shprehen se Veliaj mbetet kryetari legjitim i Bashkisë së Tiranës.

“Megjithëse të drejtat e tij, si edhe ato të qytetarëve që ai përfaqëson, mbrohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ai vijon të mbahet në izolim total, nën kushte të ashpra dhe të pajustifikuara kufizuese, që e pengojnë të ushtrojë detyrën e tij si Kryetar Bashkie”, thuhet në reagim.

Reagim i avokatëve të Erion Veliajt:

Ne, avokatët mbrojtës të z. Erion Veliaj, shprehim shqetësimin tonë të thellë për përpjekjet e përsëritura, për të shndërruar një procedim penal në një gjyq publik spektakolar përmes përdorimit të mediave të lidhura me SPAK dhe shkeljeve flagrante të ligjit, siç është zbulimi i paligjshëm i sekretit hetimor. Artikujt me porosi, të paraqitur si “zbulime ekskluzive”, nuk synojnë zbardhjen e së vërtetës, por ndërtimin e një narrative të gatshme publike përpara se çështja të provohet me fakte në një sallë gjyqi.

Këto ditë, detaje të tjera u nxorën në media, përfshirë edhe lidhur me dëshmitë e dëshmitarëve.

Në një shtet demokratik dhe evropian, drejtësia zhvillohet brenda institucioneve të drejtësisë, jo në tituj gazetash, rrjete sociale apo “seriale kriminale” të prodhuara nga media të kontrolluara përmes rrjedhjeve anonime dhe të paligjshme. Edhe më shqetësuese është fakti që këto rrjedhje ndodhin gjatë fazës së hetimeve paraprake, e cila është nën mbrojtjen e detyrueshme të organit që e administron, prokurorisë. Pikërisht këtu dështimi është i pakundërshtueshëm: jo vetëm që nuk është mbrojtur integriteti i procedurës, por është shkelur rëndë parimi i sekretit hetimor, duke e kthyer procesin në një farsë publike.

Ne po dokumentojmë çdo akt që jo vetëm shtrembëron këtë procedim penal, por që gjithashtu cenon rëndë rendin kushtetues dhe standardet evropiane të drejtësisë mbi të cilat mbështetet rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo çështje përfaqëson një regres të dallueshëm dhe të dëshpëruar drejt një epoke parademokratike.

Veliaj është Kryetari legjitim dhe i zgjedhur në mënyrë demokratike i Bashkisë së Tiranës, i votuar nga mbi 160,000 qytetarë. Megjithëse të drejtat e tij, si edhe ato të qytetarëve që ai përfaqëson, mbrohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ai vijon të mbahet në izolim total, nën kushte të ashpra dhe të pajustifikuara kufizuese, që e pengojnë të ushtrojë detyrën e tij si Kryetar Bashkie. Ne jemi të bindur se kur kjo ndjekje penale të vihet përballë një organi të paanshëm gjykimi, ajo do të shembet dhe do të zbulohet për çfarë është në të vërtetë, një ndjekje penale që ka kthyer mbrapsht në mënyrë thelbësore përparimin e Shqipërisë drejt përputhjes me standardet evropiane të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, duke u mohuar njëkohësisht qytetarëve të Tiranës shërbimin e Kryetarit të tyre dhe duke shkaktuar dëm të madh për Tiranën dhe qytetarët e saj.”

Dëshmia e policit që i dha telefonin Veliajt

Në dokumentet e hetimit, të siguruara nga gazetarja Klodiana Lala, polici Fatjon Baci ka dhënë hollësi për disa komunikime telefonike të kryera nga Veliaj, në momente para dhe pas seancave gjyqësore në mars të këtij viti.

Sipas dëshmisë së Bacit, Veliaj i ka kërkuar të përdorë telefonin e tij disa herë, me pretendimin se donte të komunikonte me vëllain dhe më pas me bashkëshorten. Telefonatat janë bërë gjatë transportit nga gjykata për në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës.

“Erioni foli për 2-3 minuta me vëllain, dhe më pas me bashkëshorten. Fliste për seancën, për atë që kishin thënë avokatët e prokurori dhe gjyqtari, duke thënë se kishte shpresa që të dilte, edhe pse ishte i shqetësuar që vendimi u shty”, ka deklaruar Baci.

Por më tej, dëshmia e Bacit merr tonë më të rënda, pasi përmendet një “Plan B” për t’i shpëtuar burgut.

“Erioni tha se duhej të sakrifikonin një nga studentët për t’u futur si deputet, që ai të merrte mandatin dhe t’i shpëtonte SPAK-ut. Përmendi emra si Tërmet Peci dhe dikë me mbiemër Malaj, që sipas tij po bëheshin deputetë për të shmangur ndjekjen penale”, thuhet më tej në dëshmi.

Pjese nga dosja hetimore 

Fatjon Baci shpjegon se pas mbarimit të seancës gjyqësore të datës 11.03.2025

“…Në momentin që është nisur furgoni, 5-10 minuta pasi ishim nisur, pranë shinave te lumi i Tiranës, Erioni më tha që a mund t’i bëja një nder se donte të merrte vëllain e tij në telefon, pasi ndihej keq. Unë në ato moment, kam qenë i prerë, dhe ja dhashë telefonin. Numrat me të cilët komunikoi, i ka formuar Erioni vetë. Bisedën e parë e ka bërë me vëllain e tij, emrin e së cilit nuk e di. Në bisedë, unë dëgjova që Erioni tha: “folën avokatët, foli prokurori dhe gjyqtari.” Erioni në bisedë i thoshte se ishte shumë i shqetësuar për këtë pjesë. Në dijeninë time dhe siç më tha Erion Veliaj, ai do të bisedonte vetëm me vëllain. Nga ana juaj kam kuptuar që atë dite kishte folur edhe me nusen e tij. Unë nuk arrita ta kuptoja kur u mbyll telefonata e parë dhe kur nisi telefonata e dytë, për shkak se në rrugë kishte zhurmë. Erioni e ka përdorur telefonin tim për 2-3 minuta”.

Në lidhje me shoqërimin e të paraburgosurit Erion Veliaj, shtetasi Fatjon Baci ka shpjeguar ndër të tjera se i ka kërkuar telefonin para mbërritjes në SPAK dhe pas mbarimit të seancës gjyqësore. Shtetasi nën hetim shpjegon se në komunikimin e datës 12.03.2025, para se të shkonte në SPAK, nuk e ka dëgjuar se cfarë ka biseduar. Ndërsa pas mbarimit të seancës gjyqësore, personi nën hetim deklaron se: “… Mbaj mend se e kemi pritur dhe pasi mbaroi seanca, nuk e mbaj mend orën fiks, por pasi ka dalë nga gjyqi e kemi hipur në furgon ku jemi nisur për në IEVP Durrës. Para se të kalonim shinat e trenit, pranë SPAK-ut, më ka kërkuar prapë telefonin për të bërë një telefonatë me vëllain. Unë ia kam dhënë nisur nga frika që kisha, për shkak të pushtetit dhe personit që përfaqësonte. Në telefonatë, ai ka folur me vëllai ku thoshte se avokatët i kishin thënë që në seancë ke folur 10/10, pra shkëlqyeshëm, edhe Erioni i thoshte vëllait se avokatët kishin thënë se nuk kishin parë njeri kaq të përgatitur. Gjatë komunikimit me vëllain, Erioni i ka thënë se mund të kishte shpresa që të dilte, pasi vendimi ishte shtyrë për ditë tjetër. Erioni i shprehej se nuk ishte i kënaqur që shpallja e vendimit ishte shtyrë për ditën tjetër. Mesa kujtoj, pasi mbaroi bisedën me vëllain, Erioni nuk ma ktheu telefonin se bëri telefonatë tjetër, pa më thënë mua. Kujtoj se ka biseduar me gruan, e tij. Këtë gjë e kuptova se u dëgjua një zë femre. Me gruan e tij, foli të njëjtat gjëra si me vëllain. Erioni i thoshte gruas së tij, se në seancë kishte folur edhe për përgjimet që i kishin bërë. Po kështu, gjatë bisedës me bashkëshorten, Erioni i thoshte që të shkonte të takonte avokatin për të bërë një prokurë apo kontratë, që mos t’i vinte aforfe. Pra, kërkonte që të bënte kontratën për çmimin e avokatit. Pasi foli me gruan, më tha nëse mund ta përdorte telefonin edhe për disa minuta, pasi donte të lexonte lajmet. Unë ia lashë në përdorim për rreth 5 minuta, shfletoi internetin në Safari, ku hapi faqen Top Channel dhe Tema, lexoi artikujt dhe ma ktheu telefonin. Kur më ktheu telefonin, nuk më tha asgjë. As faleminderit. Kam dorëzuar Erionin në IEVP dhe jam larguar për në banesë. Gjatë rrugës, verifikova numrat, që ishin po të njëjtët që kishte biseduar një ditë më para. Pra dy numrat, vëllai dhe bashkëshortja. Numrin tjetër që përmenda më sipër që kishte “21” nuk e gjeta. Kam fshirë thirrjet dhe kam vijuar programin tim ditor”.

Në datë 13.03.2025, shtetasi Fatjon Baci ka shpjeguar se Erion Veliaj i ka kërkuar dhe ka aksesuar aparatin e tij telefonik para mbërritjes në SPAK dhe pas daljes së tij nga ambientet ku u njoh me vendimin. Ky shtetas shpjegon se “Sa kemi kaluar shinat, në vendin ku ka qenë një Pazar që shiteshin gjëra të vjetra, Erioni më kërkoi telefonin që të bënte një telefonatë. Unë ia dhashë, dhe foli më vëllain e tij. Këtë gjë e di se e kam verifikuar më vonë. Vëllait i thoshte: “S’kam ca të them, e kanë me mua personale”. Nuk i mbaj mend detajet e tjera, por di që ka bërë dhe një telefonatë tjetër me bashkëshorten e tij, ku i tha që të kujdesej për djalin dhe unë dëgjova Erionin që po qante. I thoshte që nuk është e drejtë që djali të rritet vetëm, nuk i kam bërë keq njeriu, nuk ka të mirë për të mirin. Nuk e mbaj mend fiks se me kë, për shkak se edhe unë jam i ngarkuar, por Erioni i ka thënë bashkëshortes ose vëllait se: “Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që t’i shpëtonte burgut”. Këtë gjë e thoshte se është Plani B, plani i vetëm për të shpëtuar. Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci apo një me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAKUT. Po kështu, Erioni gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut, i thoshte Erioni se Ulsiun e dinte që e kishte mik. Pasi mbaroi bisedat telefonike, Erioni më kërkoi që të lexonte lajmet”.