GJKKO ka dhënë vendimin punonjësin e Kadastrës në Fier, Endri Ngresi dhe 2 të pandehurit e tjerë, të cilët akuzohen për korrupsion.
Togat e zeza dënuan Endri Ngresi, i cili akuzohet se mori 2 mijë euro për legalizimin e një banese, me 3 vite burg dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
I pandehuri Ardjan Kumanaku u dënua me 1 vit burg, ndërsa Afërdita Vidhi u shpall fajtore për korrupsion, por u përjashtua nga dënimi.
NJOFTIM PËR MEDIAT
- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr.17/2024, në ngarkim të të pandehurve Endri Ngresi, Ardjan Kumanaku dhe Afërdita Vidhi.”.
- Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Erjon Bani dhe Erjon Çela, me vendimin Nr. 54, datë 30.07.2025 vendosi:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Endri Ngresi për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehurin Endri Ngresi do të fillojë nga dita e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
- Në zbatim të nenit 35, paragrafi i parë të K.Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardjan Kumanaku, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë dhe 25 të K.Penal dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim
- Vuajtja e dënimit për të pandehurin Ardjan Kumanaku do të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit gjyqësor dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
- Deklarimin fajtore të të pandehurës Afërdita Vidhi, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi i dytë dhe 25 të K.Penal.
- Përjashtimin e të pandehurës Afërdita Vidhi nga dënimi, sipas parashikimit të nenit 52/a të K.Penal.
- Në zbatim të nenit 190, pika 1 të K.Pr.Penale, telefoni celular i markës “Samsung Galaxy A10”, bashkuar me procedimin në bazë të urdhrit “Për bashkimin e provës materiale”, datë 27.01.2025, t’i kthehet përdoruesve të tij, shtetasve Afërdita Vidhi dhe K.V.
Rruga “Jordan Misja” Nr. 1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; gjykata.gov.al
AKUZAT E SPAK
Sipas SPAK, Endri Ngresi ka marrë një shumë prej 2 mijë euro nga të pandehurit Ardjan Kumanaku dhe Afërdita Vidhi, me qëllim pajisjen me dokumente legalizimi të shtëpisë së kësaj të fundit në Fier.
Akuzat e ngritura ndaj tyre:
Endri Ngresi, punonjës i ASHK Fier, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”
Ardjan Kumanaku, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim
Afërdita Vidhi, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim
Njoftimi I SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.17 të vitit 2024 dhe ka dorëzuar në Gjykatën Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq në ngarkim të 3 të pandehurve:
Endri Ngresi, punonjës i ASHK Fier, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Ardjan Kumanaku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi 2 e 25 i Kodit Penal.
Afërdita Vidhi, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, paragrafi 2 e 25 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve ka rezultuar se e pandehura Afërdita Vidhi në bashkëpunim me të pandehurin Ardjan Kumanaku i kanë dhënë një shumë monetare në vlerën 2000 (dy mijë) euro të pandehurit, Endri Ngresi, i cili ka qenë punonjës pranë ASHK-së Fier, me qëllim pajisjen me dokumente legalizimi të shtëpisë së saj në Fier.





