Azgan Mërnica do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm. Është ky vendimi i dhënë këtë të mërkurë nga gjykata e Fierit për 24-vjeçarin, i cili një vit më parë i mori jetën efektivit të policisë, Novruz Cenalia. Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj të 2024, në fshatin Baltëz të Fierit.

24-vjeçari u gjykua për akuzat e vrasjes së punonjësit të policisë, e cila parashikon edhe dënimin maksimal, armëmbajtje pa leje si edhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.

Sipas Prokurorisë së Fierit, konflikti që çoi në përdorimin e armës nisi pasi polici i “Shqiponjave” ndaloi Mërnicën për t’i tërhequr vëmendjen pse ishte futur në kthesë me shpejtësi.

Ai ndaloi më pas mjetin e tij, iu afrua efektivit të policisë, i cili ishte i veshur me uniformën e punës dhe ishte i identifikueshëm si pjesë e strukturës së policisë, dhe e qëlloi në fytyrë duke e lënë të vdekur në vend.

Pas ngjarjes, autori u arratis dhe vetëm pas 3 ditësh kërkime, pas negociatave të policisë dhe familjarëve të tij, pranoi të vetëdorëzohej.

Novruz Cenalia u vra në moshën 28-vjeçare.