Paul Mario Day, vokalisti i parë i grupit legjendar të heavy metal-it “Iron Maiden”, ka ndërruar jetë në moshën 69-vjeçare, pasi vuante nga kanceri.
Lajmin e trishtë e kanë ndarë anëtarët e grupit të tij të mëvonshëm, More, duke e përshkruar Day si “një figurë të rëndësishme të valës së re të heavy metal-it britanik” dhe “një emër të dashur në muzikën rock britanike”.
Steve Harris, basisti i Iron Maiden, e rekrutoi Day në fund të vitit 1975. Grupi dha koncertin e parë më 1 maj 1976 në Poplar, Londër, dhe më pas mbajti një rezidencë në një pub në zonën e Stratford-it.
Day qëndroi me Iron Maiden për 10 muaj, por u largua pasi u akuzua për mungesë energjie dhe karizme. Ai u zëvendësua nga Dennis Wilcock, i cili gjithashtu nuk qëndroi gjatë në grup dhe u pasua nga Paul Di’Anno. Ky i fundit u largua për shkak të problemeve me drogën dhe alkoolin dhe u zëvendësua më vonë nga vokalisti afatgjatë Bruce Dickinson.
Në një intervistë të vitit 2019, Day foli për largimin e tij nga grupi: “Steve më thoshte: ‘Duhet të përmirësohesh. Duhet të jesh më agresiv ndaj publikut. Duhet të komandosh skenën. Duhet të jesh një hero.’ Dhe unë isha dakord me të, por nuk dija si ta arrija këtë. Më paralajmëroi për rreth tre muaj: ‘Mbledh veten. Mbledh veten.’ Dhe unë e doja këtë, thjesht nuk dija si ta bëja. Gjëja më ironike është se përvoja më e keqe ishte mësimi më i madh, sepse kur mora atë lajm dhe u ndjeva i shkatërruar, ajo më ndryshoi.”
“Iron Maiden në atë kohë nuk ishte askund, realisht… Ajo që po përpiqej të bënte Steve, ishte të bënte grupin të madh. Ai e dinte çfarë donte. Dhe e mori: një nga grupet më të mëdha në planet. Sa do që më dhembi dhe më mërziti, atë ditë mësova një mësim të madh. Me sa duket, atë emocion e përdora më pas në të kënduar”, tregoi ai.
Në vitin 1980, Day formoi grupin e heavy metal-it More, me të cilin qëndroi deri në vitin 1982. Me këtë grup performoi në festivalin legjendar Donington Monsters of Rock në vitin 1981 dhe gjithashtu mbështeti Iron Maiden gjatë turneut të tyre “Killers” po atë vit.
Më vonë u bashkua me grupin Wildfire dhe më pas ishte frontmeni i formacionit të reformuar glam rock, Sweet. Andy Scott, kitaristi i Sweet, i bëri një homazh duke thënë: “Na duhej një këngëtar, dhe kur Paul erdhi në audicion, nuk kërkuam më tej.”
Pas zhvendosjes në Australi, Day mbeti aktiv si muzikant. Në vitet e fundit të jetës së tij, ai u përkujdes në një hospice. Ai lë pas gruan e tij, Cecily.





