Aktorja e njohur Lindsay Lohan ka folur hapur për jetën e saj larg vëmendjes së mediave dhe botës së Hollywood-it, duke zbuluar arsyen kryesore pse prej vitesh ka zgjedhur të jetojë në Dubai.
Në një intervistë të fundit në emisionin “Live with Kelly and Mark”, Lohan theksoi se privatësia dhe ndjenja e sigurisë që i ofron Dubai janë të pazëvendësueshme për të dhe familjen e saj.
“Jam larg Hollywood-it dhe jetoj një jetë shumë normale. Nuk kam stresin e atij mendimi ‘Nuk mund të shkoj të ha në këtë vend sepse dikush do t’i bëjë një foto fëmijës tim’. Thjesht ndihem shumë e sigurt,” tha ajo.
Kur moderatorja Kelly Ripa e pyeti nëse paparacët ekzistojnë edhe në Dubai, aktorja u përgjigj:
“Jo, nuk është e ligjshme. Nuk mund të bësh një foto të dikujt tjetër nëse je në një restorant. Duhet ta pyesësh personin, gjë që është një ndryshim i madh krahasuar me këtu.”
Lohan e përshkroi këtë si një përvojë çliruese, duke shtuar:
“Privatësia është gjithçka.”
Aktorja është zhvendosur në Dubai në vitin 2014. Aty ajo takoi bashkëshortin e saj, biznesmenin Bandar Shammas, me të cilin u martua në vitin 2022. Çifti kanë një djalë, Louis, i cili tani është 2 vjeç.
Në një intervistë të mëparshme për revistën Elle, Lohan foli për ndjesinë që përjeton kur ndodhet në qytete të ndryshme si Los Angeles, New York dhe Dubai.
“Është e vështirë në Los Angeles. Edhe kur e çoj djalin tim në park, nervozohem. Mendoj, ‘A ka kamera?’. Në New York nuk ka atë shqetësim, njerëzit janë më të zënë me jetën e tyre. Por në Dubai, ndjej që i kam të gjitha: qetësinë, privatësinë dhe hapësirën time personale.”





