Mesditën e kësaj të premte në rrjetin e tij social “Facebook” kreu i qeverisë erdhi sërish me pamje nga Thethi, por jo si ato videot të cilat i pamë rëndom përgjatë muajit që lamë pas, por me “habere të mira”.

Dy zemra u bashkuan përgjithmonë pikërisht mu në “Kishën e Thethit”! Dhëndri një emër i njohur në botën e muzikës shqiptarë, këngëtari Daniel Kopsaj kurorëzoi dashurinë e tij disa vjeçare me të bukurën Xhulia.

Danieli me orgjinë nga Shala dhe Xhulia nga Razma vendosën që historinë e tyre ta nënshkruanin pikërisht në zemër të Thethit, e cila i vendosi në dispozicion gjithë hijeshinë dhe bukurinë që natyra i ka falur.

Mes njerëzve të zemrës, të cilët duartrokitën pa pushim për lumturinë e tyre dhe hodhën kokrrat e orizit mbi kokat e tyra, në shenjë bereqeti dhe bekimi, çifti i sapomartuar vijuan natën, e cila padyshim do mbetet më e bukura e jetës, duke festuar dhe kërcyer nën tingujt e këngëtarit Jozefin Marku.

Jozi, i cili ashtu si dhe në Big Brother e tregoi që i “qan me lot” këngët popullore, u kujdes që t’ia bënte natën Danelit dhe Xhulias, si dhe qindra dasmorëve, të paharruar!