Vizat e bardha në shumë rrugë kryesore të Durrësit thuajse janë fshirë. Nga një vëzhgim që DurrësLajm bëri në disa akse si “Egnatia” apo “Dëshmorët”, vijëzimet kanë “humbur”.

Kjo gjë ndodh kur Durrësi është në kulmin e sezonit turistik dhe numri i automjeteve që qarkullojnë në rrugë është rritur për shkak të kthimit të emigrantëve në atdhe. Ndryshe nga vitet e tjera, për shkak të pandemisë, Durrësi nuk përballet me një trafik të rënduar në rrugë, por sërish kjo nuk është justifikim për ndërmarrjen “Rruga”. Tradicionalisht. vijëzimet në rrugë ribëheshin në fillim të sezonit turistik për të dhënë një garanci më shumë për sigurinë rrugore në qytetin bregdetar.

Fotot dhe pamjet filmike tregojnë se vijëzimet horizontale këtë vit janë harruar…

Dhe jo vetëm vijat e bardha, por edhe sinjalistika në ngjyrë të verdhë që sinjalizon vendqëndrimet dhe ndalesat e urbanëve.

Nëse do të ndaleshim më pas në mishmashin e krijuar në rrugën “Egnatia” falë investimit që po bëhet në dy pjesë të saj, apo shkepja e trotuarit në aksin që lidh këtë rrugë me bulevardin “Dyrrah” durimi i kalimtarëve do të arrinte kulmin.

Ky është i disati vit më radhë që rrugët e Durrësit kthehen në kantier ndërtimi në mes të sezonit turistik. Koincidencë apo keqdashësi për t’ua vështirësuar pushuesve dhe qytetarëve qëndrimin në Durrës, këtë kushdo le ta gjykojë vetë.

Fakti është që me Velierën e papërfunduar, shëtitoren “Taulantia” në ndërtim e sipër, rrugën “Egnatia” të shkepur si mos më keq, pallatet shumëkatëshe me dëmtimet e frikshme nga tërmeti, qyteti 3000-vjeçar vuan pasojat e keqqeverisjes së tij ndër vite.

M.B.