Familja mbretërore e Holandës është bërë sërish objekt debatit publik, pasi Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Maxima po kalojnë pothuajse të gjithë verën, plot tetë javë, në vilën e tyre luksoze në Kranidi, në rajonin e Peloponezit në Greqi.

Mungesa e tyre e gjatë nga vendi, në një periudhë kur Holanda përballet me sfida të ndryshme verore, ka shkaktuar reagime të ashpra nga mediat dhe opinioni publik, duke ringjallur kritika të kahershme për stilin e jetës së çiftit mbretëror.

Zgjedhja e familjes mbretërore për të kaluar verën në Greqi nuk është e re. Pas shitjes së shtëpisë së tyre në Mozambik në vitin 2012, çifti bleu një vilë në Kranidi, me një vlerë të raportuar prej 5 milionë euro. Prej asaj kohe, çdo udhëtim i tyre në Peloponez është shoqëruar me valë kritikash, për shkak të ndjeshmërisë që ngjall mënyra e jetesës së tyre, larg vendit.

Këtë vit nuk ka përjashtim. Mediat holandeze kanë karakterizuar qëndrimin e tyre si një “pushim luksoz”, duke e krahasuar me sjelljen e monarkëve të tjerë evropianë.