Çmimi i arit që blihet me kontrata të caktuara kohë më parë (Futures), është rritur në një rekord të ri historik pas raportimeve se SHBA do të vendosë tarifa mbi importet e shufrave 1 kg, duke shkaktuar një tjetër goditje tregtare për Zvicrën, e cila dominon industrinë globale të rafinimit.

Eksportet zvicerane drejt SHBA-së u goditën të enjten nga një tarifë rrënuese prej 39%, pasi presidentja e Zvicrës u kthye duarbosh nga një vizitë e minutës së fundit në Uashington, në përpjekje për të ulur normën – një nga më të lartat e vendosura nga Donald Trump.

Më pas është zbuluar se doganat amerikane kanë rekomanduar që disa importe të shufrave të arit, të cilat më parë ishin në një kategori përjashtimi nga tarifa, të përfshihen gjithashtu në normën prej 39%.

Detajet e kësaj vendimmarrjeje ndodhen në një letër zyrtare – që SHBA përdor për të sqaruar politikat tregtare – e firmosur më 31 korrik dhe e parë nga “Financial Times”.

Çmimi i futures-ve të arit për dorëzim në dhjetor arriti një rekord ditor prej 3,534 dollarësh (2,630 £) pas publikimit të lajmit.

Christoph Wild, presidenti i Shoqatës Zvicerane të Prodhuesve dhe Tregtarëve të Metaleve të Çmuara, i tha “Financial Times” se ky vendim ishte “një goditje tjetër” për tregtinë e arit zviceran me SHBA-në dhe se ishte në kundërshtim me pritshmërinë që ari do të përjashtohej nga tarifat.

Me rreth 70% të tregut botëror, Zvicra dominon tregun e shndërrimit të arit nga minierat dhe burime të tjera në shufra ari. Ky metal i çmuar është gjithashtu një nga eksportet më të mëdha të Zvicrës drejt SHBA-së, krahas produkteve farmaceutike.

Tregtia e arit zakonisht ndjek një qark mes Londrës, Nju Jorkut dhe Zvicrës, me shufrat që formohen dhe riformohen në madhësi të ndryshme sipas kërkesave të tregut.

Zvicra importon rreth 2,000 tonë ar në vit, pjesa më e madhe nga banka ndërmjetëse në Londër, Nju Jork dhe gjetkë, për t’u eksportuar më pas, pasi ari shihet si një investim i sigurt në kohë pasigurie financiare.

Gjatë 12 muajve deri në qershor, eksportet zvicerane të arit drejt SHBA-së kapën vlerën e rreth 61.5 miliardë dollarëve, dhe tani përballen me një tarifë shtesë prej 39%. Norma e tarifës për Zvicrën është ndër më të lartat në botë, pas Brazilit, Sirisë, Laosit dhe Mianmarit.

Çmimet e arit ishin rritur tashmë me rreth 25% këtë vit, ndërsa investitorët kërkonin një strehë të sigurt për shkak të tronditjeve në treg të shkaktuara nga tarifat e Trump-it.

Amerikanët me pasuri të mëdha janë ndër ata që po investojnë në ar fizik, i cili mund të ruhet në trezorë në Alpet Zvicerane për një kosto shtesë.

Sipas raporteve, shufrat e arit kishin aq shumë kërkesë në SHBA në maj, pas njoftimit të Trump-it për tarifa të reja “reciproke” në prill, sa që rrjeti i dyqaneve Costco vendosi një kufizim ditor për numrin e shufrave që mund të bliheshin.

Zvicra u gjet e papërgatitur nga vendimi i Trump-it për ta veçuar me tarifa ndëshkuese dhe drejtuesit e industrisë kanë nisur të flasin për mundësinë e javëve të shkurtra të punës për punonjësit e bizneseve eksportuese.

Industria e orëve në Zvicër mund të goditet veçanërisht fort, pasi një orë luksoze prej 10,000 dollarësh do të kushtojë tani 13,900 dollarë për t’u importuar.

Presidentja zvicerane, Karin Keller-Sutter, tha pas një mbledhjeje urgjente me kabinetin të enjten se do të kërkojë bisedime të mëtejshme me SHBA-në lidhur me normën e lartë të tarifave.

Ajo tha se vendimi befasues i Trump-it ka krijuar një “situatë jashtëzakonisht të vështirë” për kompanitë dhe punonjësit e tyre, ndërsa përfaqësuesit e industrisë i quajtën tarifat “të tmerrshme”.

Zvicra do të vazhdojë marrëveshjen e saj për blerjen e avionëve luftarakë F-35 dhe sistemit të raketave Patriot nga SHBA, pavarësisht vendosjes së tarifës 39% nga Uashingtoni, tha Keller-Sutter të enjten.

“Këshilli Federal e ka konfirmuar vazhdimisht se do të qëndrojë me F-35. Nëse nuk e bëjmë këtë, nuk do të kishim mbrojtje ajrore”, u shpreh ajo.