Ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Albares, ka kritikuar menaxhimin e krizës së emigracionit në Itali, duke krahasuar situatën në Lampedusa me atë të Spanjës në kufijtë me Afrikën e Veriut.
Në një intervistë për transmetuesin publik spanjoll TVE, Albares deklaroi se Italia është një nga vendet europiane më të prekura nga mbërritjet e emigrantëve të parregullt dhe se autoritetet italiane nuk kanë arritur ta zgjidhin situatën.
“Italia është e përmbytur me emigrantë në Lampedusa dhe është vendi me numrin më të lartë të mbërritjeve të parregullta në Europë. Është e paaftë të zgjidhë situatën, siç ka bërë Spanja”, u shpreh ministri spanjoll.
Sipas tij, numri i madh i emigrantëve që kanë mbërritur në Itali gjatë viteve ka bërë që Spanja të marrë një pjesë të tyre në kuadër të solidaritetit europian.
Albares kritikoi gjithashtu qeverinë italiane për mënyrën se si është përballur me krizën e emigracionit, duke thënë se “nuk ka qenë në lartësinë e detyrës”.
Deklaratat e ministrit spanjoll vijnë pas krizës së fundit në enklavën spanjolle të Ceutës, ku mijëra persona tentuan të kalojnë kufirin nga Maroku drejt territorit europian.
Albares tha se shumica dërrmuese e personave që hynë në Ceuta janë kthyer në Marok brenda pak orësh, falë bashkëpunimit me autoritetet marokene.
“Maroku ka bashkëpunuar që nga fillimi për të ndaluar fluksin dhe për të lehtësuar kthimin e menjëhershëm të atyre që hynë në qytetin autonom”, deklaroi ai.
Spanja pritet të kërkojë solidaritet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian gjatë takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së për të diskutuar situatën e krijuar.





