Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dyfishuar shpërblimin për këdo që jep informacione të cilat mund të çojnë në arrestimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro.
Bëhet fjalë për 50 milionë dollarë pasi SHBA e akuzon liderin se është një nga trafikantët kryesorë të lëndëve narkotike në botë dhe se punon me kartelët e drogës për të mbushur SHBA me kokainë të përzier me fentanil.
Njoftimi u dha nga prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, e cila në një video të publikuar në X tha se Maduro ka bashkëpunim me grupe të njohura kriminale si Tren de Aragua dhe karteli Sinaloa. Nën drejtimin e Trump, Maduro nuk do të shpëtojë nga drejtësia dhe do të mbajë përgjegjësi për krimet e tij.
SHBA gjithashtu ka sekuestruar rreth 700 milionë dollarë asete të lidhura me presidentin venezuelian, duke përfshirë dy avionë privatë, njësitë automjete dhe tonelata kokainë që mendohet se i përkisnin liderit venezuelian, përfundon deklaratën prokuroria e përgjithshme amerikane.
Menjëherë ka ardhur reagimi i ministrit të Jashtëm të Venezuelës, Yvan Gil, i cili tha në Telegram se kjo ishte maskarada më e madhe që është parë ndonjëherë dhe e projektuar për tu transmetuar tani që të fshihen skandalet që po publikohen në Amerikë me synimin për të shpërqendruar opinionin publik.
Në qershor ish-shefi i inteligjencës ushtarake venezueliane Hugo Carvajal u dënuar për trafik droge në SHBA, ku pranoi fajësinë për akuzat që u ngritën ndaj tij.
Ndërsa Maduro u akuzua për trafik droge nga një gjykatë federale në vitin 2020 gjatë presidencës së parë të Trumpit. Në atë kohë SHBA ofroi një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për arrestimin e tij. Ky shpërblim më vonë u rrit nga administrata Biden në 25 milionë dollarë, e njëjta shumë që ofroi Amerika për kapjen e Osama Bin Laden pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Pavarësisht shpërblimeve, Maduro mbeti sërish në pushtet pas zgjedhjes së tij si president në vitin 2024.





