Gazetari i Al Jazeera, Anas Al Sharif, dhe katër kolegë të tij humbën jetën nga një goditje e qëllimshme e ushtrisë izraelite ndaj çadrës ku qëndronin jashtë spitalit Al Shifa në Gaza.
Lajmi ka shkaktuar reagime të forta, pasi pesë anëtarë të ekipit të Al Jazeera – mes tyre edhe korrespondenti shumë i njohur Anas Al Sharif – u vranë kur ushtria izraelite sulmoi qëllimisht çadrën që përdornin në qytetin e Gazës, përballë spitalit Al Shifa.
Sipas Al Jazeera, gjithsej shtatë persona humbën jetën në këtë sulm. Përveç Anas Al Sharif dhe gazetarit Mohamed Quraika, mes viktimave ishin edhe kameramanët Ibrahim Zaher, Mohamed Noufal dhe Moamen Aliwa.
Gjatë gjithë luftës, Izraeli nuk ka lejuar gazetarët të hyjnë në Gaza, ndërsa nuk është hera e parë që vret korrespondentë të Al Jazeera. Këtë herë, objektivi ishin gazetarë që raportonin mbi zhvillimet në qytetin e Gazës, të cilin kryeministri Netanyahu synon ta pushtojë së shpejti.
Forcat e Armatosura të Izraelit konfirmuan se kishin në shënjestër Anas Al Sharif, duke e quajtur “terrorist” që “bënte sikur ishte gazetar”. Al Jazeera më parë ka hedhur poshtë pretendime të tilla, duke i cilësuar si “prova të fabrikuara”.
Hamas e dënoi sulmin, duke thënë se synon frikësimin e gazetarëve të mbetur në Gaza dhe mund të jetë një paralajmërim për një operacion të ri izraelit.
Kush ishte Anas Al Sharif
28-vjeçari Anas Al Sharif ishte një nga figurat më të njohura të korrespondentëve arabë të Al Jazeera në Rripin e Gazës. Ai raportonte çdo ditë mbi luftën që shpërtheu më 7 tetor 2023, si hakmarrje për sulmin e paprecedentë të krahut ushtarak të Hamasit në jug të Izraelit.
Në maj 2024, autoritetet izraelite ndaluan transmetimin e sinjalit të Al Jazeera në Izrael dhe mbyllën zyrat e saj – kulmi i një konflikti të gjatë mes rrjetit të Katarit dhe qeverisë së Netanyahu-t, i cili u përkeqësua gjatë luftës. Ushtria izraelite ka akuzuar shpesh gazetarët e Al Jazeera si “terroristë” të Hamasit.
Pak para se të vritej, Al Sharif kishte publikuar në X një paralajmërim për bombardime të rënda izraelite në qytetin e Gazës.
“Jua besoj Palestinën” – Mesazhi i fundit i Anas Al Sharif
Anas Al Sharif e dinte se me shumë gjasë nuk do të dilte i gjallë nga Gaza. Pas vdekjes së tij, në llogarinë e tij u publikua një mesazh i shkruar muaj më parë, i cili shërbente si testament. Ky mesazh u postua nga një mik i tij dhe përmban fjalët e fundit që ai dëshironte të ndaheshin.
“Kjo është porosia ime dhe mesazhi im i fundit. Nëse këto fjalë ju arrijnë, dijeni se Izraeli ka arritur të më vrasë dhe të mbyllë zërin tim. Allahu e di se kam bërë çdo përpjekje për të qenë zë dhe mbështetje për popullin tim, që nga dita që hapa sytë në kampin e refugjatëve Jabalia. Shpresa ime ishte të kthehesha me familjen time në atdheun tonë të pushtuar, Asqalan (Al-Majdal).
Por vullneti i Allahut parapriu. Kam përjetuar dhimbje e humbje të shumta, por kurrë nuk hezitova ta tregoj të vërtetën siç është, pa shtrembërim, që Allahu të jetë dëshmitar kundër atyre që heshtën dhe pranuan vdekjen tonë pa bërë asgjë për ta ndalur masakrën mbi popullin tonë.
Jua besoj Palestinën – gurin e çmuar të botës islame, zemrën e çdo njeriu të lirë. Jua besoj popullin e saj, fëmijët e pafajshëm që nuk patën mundësi të ëndërrojnë apo të jetojnë me paqe.
Mos lejoni që zinxhirët t’ju mbyllin gojën apo kufijtë t’ju ndalojnë. Bëhuni ura për çlirimin e tokës dhe popullit të saj, deri sa të lindë dielli i dinjitetit dhe lirisë mbi atdheun tonë të vjedhur.
Jua besoj familjen time – vajzën time Sam, dritën e syve të mi; djalin tim Salah; nënën time të dashur, lutjet e së cilës më kanë mbajtur gjallë; dhe bashkëshorten time, Bayan, që qëndroi e fortë dhe besnike në mungesën time.
Qëndroni pranë tyre, sepse nëse vdes, do të kem vdekur pa u larguar nga parimet e mia.
O Allah, më prano mes dëshmorëve dhe bëje gjakun tim dritë për rrugën e lirisë së popullit tim.
Mos harroni Gazën… dhe mos më harroni në lutjet tuaja.”
Datë: 06.04.2025





