Një linjë e përbashkët u vendos sot në Berlin mes kancelarit gjerman Friedrich Merz, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderëve europianë, gjatë një video-konference të zhvilluar në prag të takimit vendimtar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, që do të mbahet të premten në Alaska.

Në konferencën për shtyp pas takimit virtual, kancelari Merz u shpreh i kënaqur për praninë e Zelensky-t në Berlin, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së tij në diskutimet me liderët europianë dhe presidentin Trump.

“Data e sotme, 13 gusht, ka një simbolikë të veçantë. Më 1961 filloi ndërtimi i Murit të Berlinit – simbol i ndarjes gjermane dhe europiane që më në fund u kapërcye. Sot, 64 vite më vonë, fatkeqësisht lufta e Rusisë në Ukrainë ka rihapur plagët e ndarjes në Europë”, theksoi Merz.

Nga ana e tij, presidenti Zelensky deklaroi se është rënë dakord mbi një kuadër parimesh përpara bisedimeve të Donald Trump me Vladimir Putin. “Çdo çështje që lidhet me Ukrainën duhet të diskutohet me Ukrainën”, u shpreh ai. Zelensky konfirmoi se Trump mbështet arritjen e një armëpushimi dhe dhënien e garancive të sigurisë për Ukrainën.

“Rusia nuk duhet të ketë të drejtën të vendosë veton mbi aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO”, theksoi presidenti ukrainas.

Zelensky shtoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion të koordinuar ndaj Moskës, të mbajë në fuqi sanksionet dhe të dërgojë një mesazh të qartë: nëse Rusia nuk pranon armëpushimin që do të diskutohet në Alaska, pozicioni ndërkombëtar ndaj saj do të ashpërsohet.

“Putin po blofon”, paralajmëroi ai.

I pyetur nëse ka ndryshuar qëndrimi i tij për mundësinë e dorëzimit të rajonit lindor të Donbasit, Zelensky u shpreh kategorik: “Qëndrimi im nuk ka ndryshuar, sepse bazohet në Kushtetutën e Ukrainës, dhe ajo nuk ka ndryshuar. Integriteti territorial i vendit nuk mund të vihet në diskutim pa vullnetin e popullit ukrainas.”

Në të njëjtën linjë, presidenti francez Emmanuel Macron tha se Donald Trump synon një armëpushim gjatë takimit të tij me Putinin. “Çdo marrëveshje territoriale për Ukrainën duhet të diskutohet vetëm me Ukrainën”, tha Macron, duke shtuar se shkëmbimi i pikëpamjeve me Trump i dha mundësi për të shprehur pritshmëritë europiane dhe për të kuptuar qartë qëllimet e Trump për takimin e 15 gushtit.

Macron vlerësoi dialogun SHBA–Rusi si “pozitiv”, por theksoi se është thelbësore që Europa të dëgjohet kur bëhet fjalë për çështje që e prekin drejtpërdrejt, si lufta në Ukrainë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një postim të saj u shpreh se pati një “bisedë të mirë” me liderët europianë, duke shtuar: “Europa, SHBA dhe NATO kanë forcuar pozicionin e përbashkët për Ukrainën. Askush nuk dëshiron një paqe të qëndrueshme më shumë se ne.”

Kancelari Merz zbuloi se të premten presidenti Trump do të takohet me Putinin në Alaska, ku “mund të merren vendime të rëndësishme”. Ai tha se europianët po bëjnë gjithçka për të ndikuar në formësimin e axhendës së këtij takimi dhe shprehu shpresën që misioni i presidentit amerikan të jetë i suksesshëm.

“Njohja ligjore e pushtimeve ruse nuk është në diskutim”, theksoi Merz.

Ai shtoi se gjatë video-konferencës u diskutuan të gjitha çështjet “në detaje” dhe se bisedimet do të vazhdojnë në konferencën e ardhshme të “Aleancës së Vullnetit”. Mesazhi kryesor për Trump ishte se siguria e Ukrainës dhe e Europës “duhet të garantohet”, ndërsa objektivat për bisedimet me Putinin tashmë janë përcaktuar.

Merz sqaroi se Trump e ka theksuar nevojën që Ukraina të jetë pjesë e çdo negociate të ardhshme, që armëpushimi duhet të jetë hapi i parë, se pushtimet ruse nuk mund të kenë njohje ligjore, se forcat ukrainase duhet të jenë në gjendje të mbrojnë vendin, dhe se negociatat duhet të zhvillohen brenda një strategjie transatlantike.

“Ne duam që gjërat të ndjekin një rend të qartë: së pari të arrihet një armëpushim dhe më pas të hartohet një marrëveshje kuadër. Nëse Ukraina pranon të diskutojë për çështjet territoriale, duhet të sigurohemi që të mos ketë ndryshime të dhunshme kufijsh”, përfundoi kancelari gjerman.

Presidenti Zelensky përmbylli deklaratën e tij duke falënderuar kancelarin Merz për mikpritjen dhe mbështetjen e Gjermanisë për sigurinë e Ukrainës. Ai theksoi se të gjithë liderët e pranishëm në takim dëshirojnë “paqen në Ukrainë, paqen në Europë”.