Fokusi i dy herë kampionëve të vendit është zhvendosur plotësisht tek ndeshja e javës së parë të Superiores, ku në “Niko Dovana” do të presin Dinamon. Atmosfera në kampin e Teutës mbetet pozitive. Ekipi ka vijuar seancat stërvitore intensive në kuadër të sezonit të ri, me stafin teknik që deri më 23 gusht do të ketë kohë për të përcaktuar formacionin titullar. Grupi aktual ofron një konkurrencë të shëndetshme, pasi thuajse çdo rol në fushë është i dubluar, duke i dhënë trajnerit mundësinë të zgjedhë mes disa alternativave cilësore për çdo repart.
Në Durrës e kanë të qartë misionin: Teuta dëshiron të ketë një skuadër më të fortë dhe më konkurruese se një vit më parë, me objektivin kryesor rikthimin në arenën europiane, që mungon prej disa sezonesh. Qëllimi është i qartë: një vend mes katër ekipeve më të mira të kampionatit. Motivimi brenda grupit është i lartë dhe dëshira për të nisur sezonin me këmbën e mbarë ndihet në çdo seancë stërvitore. Me disa ditë të mbetura deri në start, stafi dhe lojtarët besojnë se koha që kanë në dispozicion është e mjaftueshme për të arritur formën optimale dhe për të hyrë të gatshëm në garë.





