Në Anchorage, gjithçka është gati! Sytë e gjithë botës janë kthyer nga Alaska, aty ku për pak minuta liderët e dy fuqive të mëdha do të ulen përballë njëri-tjetrit për të arritur një marrëveshje për luftën në Ukrainë.

Tapeti i kuq është shtruar mes avionëve ushtarakë, gati për të mirëpritur Vladimir Putinin dhe Donald Trumpin…

I pari që zbriti në tokën e Alaskës ishte presidenti amerikan.

Ndërkohë, mediat e huaja kanë publikuar pamjet e para nga salla, ku do të mbahet konferenca për shtyp pas takimit. Në një shkrim në sfond, duket qartë mesazhi “Në kërkim të paqes”.

Trump dhe Putin pritet të takohen në shkallët e avionit!

Në një reagim të fundit nga Kremlini thuhet se bisedimet mes Presidentit amerikan dhe atij rus do të zgjasin me orë të tëra. Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, bisedimet Trump-Putin mund të zgjasin deri në shtatë orë. Sipas tij, Trump do e presë Putin në shkallët e avionit, kur ky i fundi të mbërrijë në Alaskë.

Rrugës për në Anchorage, Presidenti Putin vizitoi Magadanin, një qytet port në Detin e Okhotsk. Ai u ndal te një fabrikë e përpunimit të vajit të peshkut, si dhe zhvilloi një takim me zyrtarët vendas.

Më herët gjatë ditës, Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh i bindur se homologu rus nuk do të bëjë lojëra në takimin e tyre të parë kokë më kokë në 6 vjet.

“Nëse nuk do të isha president, Putini do të kishte preferuar të merrte shumë të më tepër, do të synonte kontrollin e të gjithë Ukrainës. Por unë jam president dhe ai nuk do të bëjë lojëra me mua”.

Republikani shtoi më tej me të njëjtën vetëbesim se do të arrijë ta kuptojë që në minutat e para nëse ky do të jetë një takim i mirë. Në të kundërt, u shpreh Trumop, “ka për të përfunduar shumë shpejt”.

Trump duket nuk e përjashton mundësinë që takimi me shefin e Kremlinit të mbyllet pa ndonjë rezultat. Ai i mëshon idesë se kjo përballje është kryesisht përgatitje për një takim të dytë me Putinin dhe Zelenskin, që mund të zhvillohet gjithashtu në Alaskë dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt. Po ashtu Trump tha se takimin e dytë mund të marrin pjesë edhe disa udhëheqës europianë.