Të hënën, në Shtëpinë e Bardhë do të zhvillohet një takim i nivelit të lartë mes Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me pjesëmarrjen e disa prej liderëve kryesorë evropianë. Qëllimi i takimit është diskutimi i mundësive për një marrëveshje paqeje në Ukrainë, pas samitit të zhvilluar në Alaska mes Trump dhe Presidentit rus, Vladimir Putin.

Në këtë takim pritet të marrin pjesë Kancelari gjerman Friedrich Merz, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe Presidenti finlandez Alexander Stubb. Gjithashtu, do të jenë të pranishëm edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen.

“Evropa qëndron fort në anën e Ukrainës, pavarësisht se çfarë planifikon Putini”, deklaroi Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, duke theksuar se çdo marrëveshje paqeje duhet të ofrojë garanci të qarta sigurie për Kievin.

Pas takimit të tij me Putinin në Alaska, Trump zhvilloi disa telefonata me udhëheqësit evropianë për të diskutuar mbi një marrëveshje të mundshme paqeje, që sipas raporteve, do të mund të përfshinte garanci sigurie për Ukrainën të ngjashme me mbrojtjen kolektive të Nenit 5 të NATO-s.

Presidenti amerikan është shprehur se një marrëveshje e plotë paqeje, e jo një armëpushim i përkohshëm, është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës. Ky qëndrim shihet si një pikë afërsie mes Trump dhe Putinit.

Nga ana tjetër, Putin në samitin e Alaskës ka kërkuar që Ukraina të tërhiqet plotësisht nga rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut – një kërkesë që Presidenti Zelensky e ka refuzuar kategorikisht, duke përjashtuar çdo lloj tërheqjeje territoriale.