Martesa duket se po e humbet peshën që ka pasur dikur. Në vitin 2024, sipas të dhënave të INSTAT, janë regjistruar rreth 16 mijë martesa, kjo është shifra më e ulët e më shumë se dy dekadave. Që pas 2021-it, martesat kanë njohur vetëm rënie.
Tendenca e rënies së kurorëzimeve reflekton ndryshime sociale, sfida ekonomike, mungesë sigurie për të ardhmen, si dhe emigrimin e brezit të ri.
“Ka një tërësi arsyesh që kanë ardhur duke u shtuar: të rinjtë kanë më shumë dëshirë të merren me veten, të arsimohen… më pas janë kushtet ekonomike… gjëja tjetër është migrimi, largimi i të rinjve nga vendi.”
Sociologia Doralda Tanellari thotë se kjo rënie lidhet edhe me transformimin kulturor që po përjeton shoqëria shqiptare, ku martesa nuk shihet më si një hap i detyrueshëm në jetën në çift.
“Ka ndryshuar struktura e familjes. Nuk ka më të rinj që në momentin e parë të zyrtarizimit shkojnë të celebrohen… ata i japin më shumë kohë vetes për të krijuar një bashkëjetesë, për të shmangur më pas frikën nga divorci.”
Kjo situatë sjell në shoqëri një sërë ndikimesh.
“Efektet janë afatgjata: plakje të popullsisë, më pak lindje, shtim të familjeve me një person, probleme ekonomike. Do të sjellë edhe një disbalancë në marrëdhëniet familjare.”
Në këto kushte, kërkohen një sërë politikash, si marrja e masave për integrimin dhe mbajtjen e të rinjve në vend.
Në harkun kohor të 10 viteve, numri i martesave në Shqipëri ka rënë me mbi 7600, që përbën një rënie prej 32%.
MARTESAT NË SHQIPËRI
2014 – 23 mijë 769
2015 – 24 mijë 997
2016 – 22 mijë 562
2017 – 22 mijë 641
2018 – 23 mijë 104
2019 – 22 mijë 415
2020 – 17 mijë 473
2021 – 19 mijë 709
2022 – 18 mijë 781
2023 – 17 mijë 467
2024 – 16 mijë 120 /tvklan





