Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i dorëzoi Donald Trump-it një letër mirënjohjeje për bashkëshorten e tij Melania, shkruar nga Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, pasi Melania u angazhua për mbrojtjen e fëmijëve.

Zelensky e falenderoi Melanian për ngritjen e vetëdijes mbi çështjen e të paktën 19 mijë e 500 fëmijëve ukrainas që, sipas qeverisë së tij, janë rrëmbyer nga Rusia që prej fillimit të pushtimit të plotë në vitin 2022.

Kjo ndodhi pasi Melania i dërgoi një letër presidentit rus Vladimir Putin, duke e lutur që të tregojë kujdes për fëmijët, duke thënë: “Duke mbrojtur pafajësinë e këtyre fëmijëve, ju nuk i shërbeni vetëm Rusisë, ju i shërbeni njerëzimit.”

Letra nuk përmendte fëmijë specifikë, por fundjavën e kaluar, Shtëpia e Bardhë e publikoi atë në rrjetet sociale. Në të, Melania shkruante se çdo fëmijë ëndërron “dashuri, mundësi dhe siguri nga rreziku” dhe i drejtohej Putinit: “Zoti Putin, ju mund të riktheni vetë të qeshurat e tyre.”

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga gazetarët të hënën, Trump tha se bashkëshortja e tij ka një dashuri të madhe për fëmijët dhe “e urren kur sheh gjëra të tilla ndodhin”, duke shtuar se e njëjta gjë vlen për çdo luftë.

“Do të donte ta shihte këtë luftë të përfunduar. E thotë hapur, me krenari dhe me trishtim të thellë për shkak të numrit të madh të viktimave,” tha ai.

Zelensky e vlerësoi Melanian për vëmendjen ndaj “një prej çështjeve më të dhimbshme të kësaj lufte, rrëmbimi i fëmijëve ukrainas nga Rusia”, duke shtuar: “E vlerësojmë thellësisht dhembshurinë e saj.”

“Kjo çështje është në zemër të tragjedisë humanitare të luftës, fëmijët tanë, familjet e shkatërruara, dhimbja e ndarjes.”

Qeveria ukrainase thotë se rreth 19 mijë e 500 fëmijë janë deportuar ose larguar me forcë drejt Rusisë apo territoreve të pushtuara prej saj, ndërsa rreth 1 mijë e 500 janë kthyer.

Në vitin 2023, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisioneren e tij për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, për deportimin e paligjshëm të fëmijëve.

Rusia i mohon akuzat dhe thotë se ka mbrojtur fëmijët e pambrojtur duke i larguar nga zona e luftës për sigurinë e tyre.

Kthimi i fëmijëve është pjesë e qëndrimit të Ukrainës në negociatat e paqes me Rusinë.

Pas takimit të së hënës mes Zelensky-t, Trump-it dhe liderëve evropianë në Shtëpinë e Bardhë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha në rrjetet sociale: “Kostoja njerëzore e kësaj lufte duhet të marrë fund.”

“Dhe kjo do të thotë që çdo fëmijë ukrainas i rrëmbyer nga Rusia duhet të kthehet pranë familjes së tij.”

Ajo falenderoi Trump-in për “angazhimin e qartë për t’i ribashkuar këta fëmijë me të dashurit e tyre.”

Von der Leyen reagoi ndaj një postimi të Trump-it, ku ai tha se fëmijët e zhdukur në mbarë botën janë një çështje që ka rëndësi të veçantë për Melanian.