Turizmi kulturor është një asetet më të forta të kryeqytetit shqiptar të turizmit. Monumenti më i rëndësishëm, që qyteti 3000-vjeçar trashëgon nga antikiteti është pikërisht amfiteatri, që daton në shekullin II të e.s. dhe është dëshmi e rëndësisë, që qyteti buzë Adriatikut kishte në periudhën e perandorisë romake.

Është pikërisht amfiteatri, monumenti më i vizituar në qytet gjatë periudhës janar – korrik 2025.

Sipas arkeologes së Qendrës Muzeore Durrës, Eda Çekrezi, në 7 muaj në amfiteatër janë regjistruar 23.414 vizitorë, ndërsa e përkthyer në të ardhura këto vizita i kanë siguruar arkës së shtetit 4.214.070 lekë të reja.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur në amfiteatër regjistroheshin 13.527 vizitorë, gjatë 2025 ka pasur rreth 10 mijë vizitorë më shumë.

Këto shifra janë dëshmi e interesit të lartë të vizitorëve të huaj për të parë nga afër këtë monument unikal të botës antike, por njëkohësisht dëshmi edhe e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm në qytetin bregdetar, që tashmë nuk vizitohet vetëm gjatë sezonit veror.

Për “DurrësLajm”, Çekrezi shprehet se qershori ka qenë muaji me fluksin më të lartë të vizitave, ndërkohë që vizitorët janë nga të gjitha vendet e botës, duke nisur nga shqiptarët e diasporës, vendet e rajonit, Evropës, por edhe nga kontinenti amerikan dhe ai aziatik.

Edhe pse ende i pazbuluar tërësisht, amfiteatri u ofron vizitorëve një udhëtim në antikitet, sepse dhe në ditët tona ruan origjinalitetin e mjeshtrave që e ndërtuan.

Ndërtesa në trajtë elipsi, e mbështetur pjesërisht në kodër, mbante deri në 20 mijë spektatorë, që ndiqnin ndeshjet me gladiatorët në arenën e tij.

Brenda amfiteatrit ndodhet edhe një kishë e vogël dhe një mozaik mural.

M.B.