Shoqata e Trajnerëve të Futbollit në Itali, AIAC, ka kërkuar të mërkurën që Izraeli të pezullohet nga garat ndërkombëtare të futbollit, për shkak të luftës në Rripin e Gazës.

Para ndeshjeve vendimtare të Italisë në kualifikimet për Kupën e Botës kundër Izraelit në dy muajt e ardhshëm, AIAC-i theksoi se “Izraeli duhet të ndalet. Edhe futbolli duhet të marrë masa”.

AIAC ia ka dërguar një letër zyrtare Federatës së Futbollit të Italisë – e cila do t’u përcillet shtëpive të futbollit evropian dhe botëror, UEFA dhe FIFA – duke kërkuar pezullimin e Izraelit.

“Bordi i Drejtorëve të AIAC beson njëzëri se, duke pasur parasysh masakrat e përditshme, të cilat kanë shkaktuar edhe qindra viktima mes drejtuesve, trajnerëve dhe sportistëve … është e ligjshme, e domosdoshme, madje detyrim, që të vihet në qendër të bisedimeve në federata, kërkesa që UEFA dhe FIFA ta përjashtojnë përkohësisht Izraelin nga garat sportive”, thuhet në letër.

“Sepse, dhimbja e së kaluarës nuk mund ta errësojë ndërgjegjen e as njerëzinë e askujt”, thuhet tutje në letër.