Shqipëria ka bërë gati draftmarrëveshjen dhe grupin negoicator për njohjen e pensioneve me Greqinë.

“Jemi në pritje të vullnetit veçanërisht politik nga pala greke për të iniciuar zyrtarisht marrëveshjen”, tha Olta Manjani, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Manjani theksoi se “duhet të kemi parasysh që këto marrëveshje shoqërohen me koston përkatëse financiare, por ato hapin një mundësi të rëndësishme për qytetarët e të dy vendeve që të sigurojnë të drejtat e tyre pensionale”.

“Përveç aspektit financiar, është thelbësor koordinimi i ngushtë mes dy palëve dhe përkushtimi politik, pasi çdo vonesë mund të zgjasë procesin mbi pesë vite. Ne besojmë se, me vullnet dhe bashkëpunim të përbashkët, njohja e pensioneve do të realizohet në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha Manjani.

“Shqipëria ka aktualisht marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës me Turqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Kanadanë, Bullgarinë, Kosovën, Zvicrën, Kroacinë, Italinë dhe së fundmi me Serbinë. Me konkludimin e të gjithë marrëveshjeve që ne kemi në proces, ky numër do të shkojë në 21. Dhe unë e theksova që përpos vendeve të BE po përpiqemi të kemi marrëveshje edhe me ato shtete me të cilat kemi shkëmbime të shpeshta tregtare”, u shpreh Manjani.

Ndërkohë veç Greqisë, përpjekje për negociata ka edhe me Holandën, Poloninë, Finlandën, Moldavinë, Slloveninë, Australinë, Norvegjinë apo Suedinë.