Teuta ka pothuajse dy muaj që vijon fazën përgatitore në Durrës, ku puna në kampin blu është në intensitetin më të lartë. Ndërsa skuadra ka kthyer tashmë fokusin te dueli i javës së ardhshme ndaj Partizanit, sulmuesi Mario Beshiraj foli duke vlerësuar punën që bëhet te Teuta dhe duke shprehur optimizëm për sezonin e ri.

Beshiraj, personalisht si të ka shkuar faza përgatitore?

Ndjehem shkëlqyeshëm në këtë fazë, gjithçka shkon në mënyrën më të mirë të mundshme. Jemi një grup shumë i mirë lojtarësh, ashtu edhe nga stafi teknik, dhe kjo më motivon edhe më shumë.

Keni dy muaj që keni nisur punën… Është normale që faza përgatitore të jetë e lodhshme. Çdo ditë ka vështirësitë e saj dhe nga ngarkesat e larta është e natyrshme të ndjejmë lodhje. Kjo bën që në ndeshjet kontrolluese të kemi këmbët e rënda, por në fakt ashtu duhet të jetë, sepse po punojmë me intensitet të shtuar. Do të vazhdojmë paralelisht me përgatitjen fizike edhe të ndërtojmë lojën dhe formën tonë, dhe deri në fillim të sezonit të ri besoj se do të jemi maksimalisht të përgatitur.

Sezoni i shkuar ka qenë i mirë për ju. Si e shihni të ardhmen?

Unë jam në kontratë me Teutën dhe do të jem bashkë me ekipin edhe këtë sezon për të tentuar të bëjmë mirë. Kategoria Superiore këtë vit do të jetë shumë e vështirë, pasi ka emra të mëdhenj ekipesh, por ne do të tentojmë maksimumin. Besoj se sezoni i kaluar ishte i mirë për mua, ndërsa tani, me një ecuri të mirë rikuperuese, për edicionin e ri do të jem pranë ekipit për të dhënë kontributin tim.

A ka Beshiraj një objektiv personal te Teuta?

Objektivat personale, rekorde apo statistika, për mua janë të pavlera nëse nuk janë në shërbim të ekipit. Për mua rëndësi ka që të jap maksimumin për skuadrën e Teutës. Ky është objektivi im personal.

Çfarë prisni nga sezoni i ri?

Kemi një skuadër shumë cilësore dhe besoj se do të luftojmë për të arritur sa më lart në renditje. Por është fusha ajo që do të tregojë se çfarë do të marrim nga ky sezon.