Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Fortesa”, duke sekuestruar pasuri me vlerë rreth 26.5 milionë euro, në pronësi të një 45-vjeçari të dënuar nga drejtësia italiane për vrasje me paramendim dhe për trafik narkotikësh në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Në kuadër të procedimit penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ekzekutuan vendimin e Gjykatës për sekuestrimin e pasurive të shtetasit Kristian Koni, alias O. M., 45 vjeç.

Pasuritë e sekuestruara përfshijnë 19 prona të paluajtshme, 2 automjete dhe 20 llogari bankare, të regjistruara në emër të tij ose të familjarëve. Hetimet vijojnë për identifikimin e pasurive të tjera që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.