Banorët e pallatit 6-katësh nr. 1032 të njohur ndryshe si te “Baronsi” në Durrës, i cili u shkatërrua nga tërmeti i 26 nëntorit, ku dhe fatkeqësisht pati dy viktima, kërkojnë që pallati i tyre të rindërtohet në po në të njëjtin truall.
Teksa pritet që procesi i Rindërtimit në Durrës të nisë në vjeshtë dhe Këshilli Bashkiak ka miratuar deri më tani listat me disa pallate dhe banesa private të cilat janë shembur dhe do të nisë rindërtimi në po të njëjtin vend, banorët e “Baronsit” u mblodhën sot te bashkia për të marrë një përgjigje në lidhje me fatin e apartamenteve të tyre të reja.
“Ne kërkojmë të dimë ku do të na stabilizojnë. Vendi ku ka qenë pallati ynë nuk është përfshirë fare për t’u rindërtuar po aty, për arsye që i dinë këta. Kemi ardhur mbi 10 herë në bashki dhe nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje”, shprehet Kostandin Allkanjari, teksa kujton momente tragjike të asaj nate shkatërrimtare.
“Nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje se ku do të bëhet pallati ynë i ri. Të gjithë bashkarisht kërkojmë që pallati të ndërtohet po aty, ku është mundi i dy brezave. Kemi pësuar traumë, nuk e shoh të arsyeshme të tallen me ne”, shprehet një banor me aftësi të kufizuara.
Në lidhje me kërkesën e tyre, një grup përfaqësuesish të pallatit zhvilluan një takim me nënkryetarin e bashkisë, Florian Tahirin, të cilëve iu është komunikuar që pallati nuk do të rindërtohet po në atë truall.
“Kërkuam që pallati të ndërtohet në vendin ekzistues, po nga përgjigjja që morëm, na u bë me dije se me vendim të kryeministrit, pallati ynë nuk mund të ndërtohet aty sepse ka pasur viktima. Por ne këtë shkresë nuk e kemi parë. Na thanë që banorët do t’i sistemojnë në pallate të ndryshme. Ne s’jemi aspak dakord me këtë vendim”, thotë një nga banoret që sapo ka dalë nga takimi me nënkryetarin Tahiri.
Sipas deklaratës së bërë nga kryeministri Edi Rama, në muajin mars të këtij viti, nuk do të ngrihet asnjë banesë në të gjitha godinat ku ka pasur viktima, por do të ngrihet një hapësirë e gjelbër, parku i memories.
Në pallatin 6-katësh në rrugën “Bashkimi” Durrës, i cili u shemb në dy katet e para, humbën jetën shtetaset Hatije Rexhepi dhe Xhulieta Gjana.
S.L.





