Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore bëri të ditur sot se bizneset në Tiranë do të kenë një afat më të gjatë për pagesën e taksave dhe tarifave vendore. Në bazë të një vendimi të ri të Këshillit Bashkiak Tiranë, data e fundit e pagesës është shtyrë nga 20 prilli në 31 maj të vitit pasardhës.
Vendimi i ri parashikon që bizneset e kategorisë II duhet të kryejnë pagesën e detyrimeve deri më 31 maj. Për detyrimet që lindin pas kësaj date, afati i pagesës është përcaktuar në 15 ditë nga momenti i lindjes së detyrimit.
Po ashtu, për bizneset e reja që regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, detyrimi për taksat fillon nga muaji i regjistrimit dhe përfshin çdo njësi ku zhvillohet aktiviteti, çka synon një llogaritje më të saktë dhe të drejtë të detyrimeve për çdo subjekt të ri.
“Për kategorinë II. “Biznesi” detyrimi paguhet brenda datës 31 Maj. Afati i pagesës për detyrimet e lindura pas datës 31 Maj është 15 ditë pas lindjes së detyrimit. Për subjektet e regjistruara rishtaz detyrimi tatimor do të llogaritet për çdo njësi ku subjekti kryen aktivitet nga muaji korrent i regjistrimit pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit””, thuhet në vendim.
Krahas kësaj, një tjetër risi e rëndësishme është mënyra e komunikimit me bizneset. Tashmë, çdo njoftim zyrtar mbi detyrimet tatimore vendore do të përcillet jo vetëm nëpërmjet postës dhe kanaleve elektronike tradicionale, por edhe përmes portalit qeveritar e-Albania.
“Çdo njoftim që lidhet me detyrimet, taksat dhe tarifat vendore do të bëhet përmes shërbimit postar dhe/ ose në rrugë elektronike sipas ligjit për komunikimet elektronike dhe/ ose përmes portalit e-Albania”, thuhet në njoftim.





