Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka paralajmëruar avokatin e Ilir Metës, Kujtim Cakrani, se në rast mosparaqitje në seancën e 8 shtatorit, do të zëvendësohet.
Në njoftimin zyrtar, Gjykata sqaron se mungesa e paarsyeshme e mbrojtësit do të sjellë zëvendësimin e tij me mbrojtës kryesisht të caktuar nga gjykata, sipas nenit 132/1 të Kodit të Procedurës Penale.
Seanca do të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe ka si objekt ankimin e Ilir Metës ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë që i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Presidenti i Partise se Liris, Ilir Meta, i cili ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024 akuzohet për veprat penale të korrupsionit pasiv, falsifikimit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
SPAK mbylli hetimet per Meten
Kujtojme qe me 29 gusht, SPAK njoftoi përfundimin e hetimeve ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, si dhe dërgimin e çështjes në gjykatë për t’iu nënshtruar vlerësimit në seancë paraprake. Po ashtu, janë dërguar për gjykim si të bashkëpandehur dhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, një finacuese e LSI-së.
SPAK e akuzon Metën për ndikime korruptive për episode që lidhen me çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje interkoneksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji në favor të biznesmenit Samir Mane. Sipas SPAK, akuza të ngjashme rëndojnë edhe mbi Monika Kryemadhin. Meta dhe Kryemadhi i mohojnë akuzat.
Sipas SPAK, Meta akuzohet për korrupsion pasiv në tre raste, dy prej të cilave në bashkëpunim. Ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është marrë e pandehur për korrupsion pasiv në dy raste të kryera në bashkëpunim. Ndaj ish-bashkëshortëve rëndojnë dhe akuzat për kryere të veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Nëna e Kryemadhit dhe e pandehura Ema Çoku akuzohen për pastrim parash, ndërsa Xhixho për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim.
SPAK sqaron se procedimi ndaj Metës dhe të pandehurve të tjerë ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme. Në vitin 2024, të gjitha procedimet e veçuara u bashkuan në një të vetëm.
“Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive”, citohet në njoftim.
Prej tetorit të vitit të kaluar, ish-presidenti Ilir Meta, i cili aktualisht mban dhe pozicionin e kryetarit të Partisë së Lirisë, gjendet në burg, pasi gjykata pranoi kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj tij. Meta dhe të pandehurit e tjerë i kanë kundërshtuar publikisht akuzat e ngritura si të montuara politikisht.





