Teuta nuk humbet kohë, nis misioni anti-Dinamo. Takimi i javës së parë, Teuta-Dinamo. ishte parashikuar të zhvillohej të shtunën e 24 gushtit duke nisur nga ora 20:00. Disa ditë para u njoftua se kjo ndeshje do të luhej në një datë tjetër, pasi FSHF vendosi shtyrjen e saj për më 5 shtator.

Tashmë blutë do të vazhdojnë sipas programit për ndeshjen e radhës, që është pikërisht me Dinamon në Durrës. “Djemtë e detit” kanë niur punën sipas programit, ndonëse në kampin dinamovit kërkohet një tjetër shtyrje e ndeshjes, me pretekstin se kanë dy lojtarë të thirrur nga kombëtaret. Java ka nisur mirë për durrsakët lidhur me gjendjen në infermieri. Përveç Jazxhi, i cili ka probleme, pjesa tjetër është “OK”. Teuta do të luajë në fundjavë me Dinamon, në një ndeshje mjaft të rëndësishme për synimet që kanë durrsakët për të qenë një ekip pretendent.

Ata kanë nisur përgatitjet për sfidën e radhës në kampionat me “nëndetësen”. Skuadra durrsake do të jetë më e plotë dhe për trajnerin Dobi pritet të jetë gati edhe Ergis Arifi, i cili kishte disa probleme dhe që nga dje i është bashkuar ekipit në stërvitje për duelin e së premtes. Në dyshim vazhdon të mbetet Artan Jazxhi, mbrojtësi që la fushën i dëmtuar ndaj Partizanit. Me shumë mundësi nuk do të jetë gati as për këtë takim, megjithatë deri ditën e ndeshjes do të shihet forma e tij.

 “Djemtë e Detit” vijuan përgatitjet për ndeshjen ndaj Dinamos. Stërvitja nisi me nxehje të lehtë, ku përgatitësi atletik i skuadrës, Mark Dodaj, punoi me futbollistët me disa ushtrime fizike. Më pas skuadra vijoi me lojë me top dhe konkretizim para portës. Në seancën e djeshme grupi ishte i plotë dhe nuk pati asnjë mungesë. Gjendja e futbollistëve është mjaft e qëndrueshme, me ritëm të lartë, të udhëhequr nga trajneri Dobi. Edhe harmonia brenda ekipit është mjaft pozitive.

Duhet të jetë dita e Teutës për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Kundër Dinamos vështirësia është e madhe, sidomos përballë një rivali që garon për një vend mes më të mirëve. Megjithatë, të besuarit e Dobit janë të bindur se do t’ia dalin. Para nisjes së përgatitjeve për këtë javë, trajneri zhvilloi një analizë të shkurtër me ekipin, duke kërkuar reflektim për ndeshjet e ardhshme.

Objektivi është i qartë për Teutën ndaj dinamovitëve, vetëm tri pikët. Kampionati sapo ka nisur dhe gabimet janë thuajse të ndaluara. Rivalët janë shumë pranë dhe durrsakët kërkojnë suksesin e parë në Durrës. Këtë, “djemtë e detit” e kanë bërë më se të qartë. Për Teutën mbledhja e pikëve është thelbësore për të qenë në renditje lart, e më pas të mendojnë për gjëra të tjera. Gara sapo ka nisur, ndaj lojtarët janë të mobilizuar në çdo ndeshje për të arritur objektivin. Ekipi është i motivuar dhe i përqendruar për të bërë mirë ndaj Dinamos. Dihet se kundërshtari ka elementë cilësorë dhe për të marrë rezultat pozitiv, lojtarët duhet të japin maksimumin në fushë.