Mesfushori i Teutës, Muço Boçi, është optimist për sezonin e ri. Ai thekson se “Djemtë e Detit” nuk janë skuadër e premtimeve të mëdha, por e rezultateve konkrete. Për të, atmosfera pozitive në grup është çelësi i suksesit.

Muço, si paraqitet gjendja e ekipit pas dy muajsh përgatitje?

Po përgatitemi 100% çdo ditë me përkushtim. Aktualisht kemi nga një seancë stërvitore në ditë. Gjendja në ekip është e mirë dhe më kryesorja është që nuk kemi dëmtime.

Keni zhvilluar ndeshjen e parë në kampionat. Si e patë skuadrën?

Ishte ndeshja jonë e parë dhe më pëlqeu ekipi, sidomos në aspektin fizik. Kemi kohë të mjaftueshme përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet dhe deri në përballjen me Vorën në kampionat jemi të bindur se do të jemi gati.

Çfarë objektivi ka Teuta këtë sezon?

Pretendimet tona janë të bëjmë mirë. Teuta çdo vit futet me ambicie. Nuk duhet të shohim kundërshtarët, sepse diferencat në kampionatin shqiptar janë shumë të vogla. Shpresoj të bëjmë përforcimet e duhura nëse skuadra ka nevojë në vijim. Nuk duhen afrime të shumta, por të mirëmenduara. Vetëm kështu do ta kemi rrugën e hapur drejt sukseseve.

Jeni përballë faktit që ndaj Dinamos nuk do të luani. Sa ndikon kjo?

Nuk mund të them sa ndikon, por ne do të vijojmë të përgatitemi mirë për ndeshjen e radhës. Për ne, sfida e parë do të jetë ndaj Partizanit, e cila nuk do të jetë e lehtë. Ne do të vlerësojmë çdo kundërshtar, sepse vetëm kështu mund të marrim maksimumin.