Një studim i kryer me mbi 1.5 milionë pjesëmarrës ka sugjeruar se kafeja dhe pijet energjike kanë efekte të kundërta mbi rrezikun e vetëvrasjes. Konsumimi i lartë i kafesë — më shumë se 60 filxhanë në muaj — lidhej me një ulje të ndjeshme të tentativave për vetëvrasje, ndoshta për shkak të efektit stimulues dhe përmirësues të humorit që ka kafeja.

Në të kundërt, edhe vetëm një kanaçe pije energjike në muaj u vu re se rriste rrezikun e mendimeve dhe tentativave vetëvrasëse. Efekti rritet në varësi të dozës, deri në trefishim të rrezikut në nivele më të larta konsumimi.

Ky ndryshim mund të shpjegohet me praninë e përbërësve të tjerë psikoaktivë në pijet energjike — si taurina, guarana dhe xhinxheri si dhe përmbajtja e lartë të sheqerit, të cilat mund të shkaktojnë ankth dhe luhatje humori, veçanërisht tek të rinjtë meshkuj, që janë edhe konsumatorët kryesorë.

Sipas rezultateve të studimit tentativat për vetëvrasje ishin 30% më të ulëta tek konsumatorët e kafesë krahasuar me ata që pijnë pije energjike.

Ky studim nxit për të bërë qartë dallimin mes pijeve energjike me kafeinë dhe kafesë.

Duket se kafeja, ndonëse është stimulues, nuk rrit rrezikun e vetëvrasjes.

Po a janë konsumatorët e kafesë të mbrojtur nga kafeina, apo thjesht konsumojnë më pak sesa përdoruesit e pijeve energjike?

 Publikimet që evidentojnë rreziqet psikiatrike të kafesë tregojnë se konsumi i moderuar është përgjithësisht i sigurt. Madje mund të ketë edhe një efekt neuroprotektiv. Pra, të pish dy filxhanë kafe në ditë nuk duket problematike.

Po për popullatën që konsumon pije energjike?

Rreziku i vetëvrasjes është më i lartë tek meshkujt e rinj, dhe përdoruesit e pijeve energjike shpesh konsumojnë edhe substanca të tjera; në literaturë ekziston një lidhje e mirëdokumentuar mes pijeve energjike dhe substancave të varësisë. Pacientët me probleme varësie kanë gjithashtu rrezik të shtuar për vetëvrasje. Prandaj, është e nevojshme të thellohet më tej studimi mbi këtë popullatë.

Eshtë e rëndësishme të kuptohet lidhja mes konsumatorëve të pijeve energjike dhe pacientëve me rrezik vetëvrasjeje. Në konsultime, përdorimi i pijeve energjike duhet të shihet si një “flamur i kuq”. Qoftë në mjekësinë e përgjithshme apo në psikiatri. Nëse një pacient paraqitet për shqetësime psikologjike, është e rëndësishme të vlerësohet edhe konsumi i pijeve energjike, sepse ai mund të tregojë probleme të tjera: përdorim të substancave të tjera ose një stil jetese të rrezikshëm.

Tek pacientët me ankth, rekomandohet të kufizojnë stimuluesit dhe të shmangin konsumimin pas orës 16:00, pasi mund të përkeqësojë ankthin ose të prishë gjumin.

Kafeina mund të ketë një efekt mbrojtës ndaj rrezikut të vetëvrasjes kur konsumohet në mënyrë të moderuar. Në të kundërt, doza shumë të larta — si ato që gjenden në sasi të mëdha të pijeve energjike — mund ta rrisin këtë rrezik. Për shembull, dikush që konsumon 15 filxhanë kafe në ditë ka shumë pak gjasa të përfitojë nga efektet mbrojtëse, për shkak të ndikimit në gjumë dhe funksione të tjera metabolike, përfshirë efektet kardiovaskulare.