553 familje të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në bashkinë Durrës do t’u rindërtohet shtëpia, e cila ka pësuar dëmtime të rënda DS4 dhe DS5.

Me listat e miratuara sot nga Këshilli Bashkiak Durrës për 23 familje në njësinë administrative nr.2, 33 familje në Rashbull dhe 283 në Ishëm, shifra në total shkon në 553, së bashku me 214 familje në njësinë administrative Manzë, lista e të cilës u miratua më 14 korrik.

Burime zyrtare nga bashkia e Durrësit konfirmojnë se procesi për subjektet përfituese të grantit të rindërtimit vazhdon dhe në ditët e javët në vijim priten lista të tjera, që do të kalojnë për miratim në Këshillin Bashkiak.

Procesi i Rindërtimit në Durrës pritet të nisë në vjeshtë, të paktën këtë ka paralajmëruar kryeministri Rama në dy deklarata publike. Gjatë javës së kaluar, më 15 korrik, KB miratoi listën me 10 pallate dhe një shtesë anësore që janë shembur apo do të shemben në Durrës dhe do të rindërtohen në po të njëjtin vend.

LISTAT:

  • https://www.durres.gov.al/images/2-_Lista_RAJONI_2.pdf
  • https://www.durres.gov.al/images/3-_LISTA_ISHEM.pdf
  • https://www.durres.gov.al/images/4-_Lista_RRASHBULL.pdf
  • https://www.durres.gov.al/images/2-Perfitues_te_grantit_te_rindertimit_Manez.pdf
  • https://www.durres.gov.al/images/1-lista_e_objekte_per_rindertim_ne_te_njejtin_truall_15_07_2020.pdf

Po ndërsa duket se dalë nga dalë procesi i shembjes dhe rindërtimit të banesave individuale po merr rrugë, banorët e pallateve shumëkatëshe në Durrës që kanë dëmtime të rënda janë ende të paqartë për fatin e pallateve të tyre dhe procesin e rikonstruksionit, nëse nuk do të vendoset për shembjen e godinave. Shumë paqartësi ka edhe procesi i riparimit të ambienteve të përbashkëta, për të cilat qeveria Rama ka miratuar shumën rreth 1 miliardë lekë. Ende nuk është hedhur dritë se si do të zhvillohet ky proces, kush do ta realizojë dhe si do të përcaktohen shumat që do të akordohen për riparimin e pallateve.

Ditën e sotme, bashkia i shtoi me 464 emra të rinj dy listat e mëparshme të familjeve durrsake që do të përfitojnë grantet e rindërtimit për banesat me dëme DS1, DS2 dhe DS3.

Në fillim, Këshilli Bashkiak miratoi më 26 qershor listën me 6257 emra. Pas ankimimeve dhe shqyrtimit të ankesave të qytetarëve u miratua një listë e dytë, e cila e çoi numrin në total 7449 persona. Me listën e sotme, shifra e përgjithshme arrin në 7913 familje që do të përfitojnë shumat 1, 2.5 dhe 5 milionë lekë të vjetra për riparimin e banesave të tyre.

Javën e kaluar me qindra qytetarë durrsakë aplikuan për përfitimin e grantit të rindërtimit, pasi për arsye të ndryshme nuk kishin mundur ta bënin këtë procedurë gjatë muajit shkurt. Shifra ekzakte e qytetarëve që aplikuan nuk dihet ende, megjithëse DurrësLajm u interesua pranë bashkisë për këtë çështje.

M.B.