Ky është imazhi i parë i Ragip Gilës menjëherë pas krimit të rëndë që tronditi Shkodrën, ku dy persona humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.
Gila shfaqet me një skafandër në kokë dhe armë zjarri në dorë, teksa largohet nga vendi i ngjarjes, pas atentatit në një lokal në pedonalen “Kolë Idromeno”.
Nga të shtënat humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa mbetën të plagosur Erogen Vaso, që dyshohet të ketë qenë objektivi i atentatit, dhe kamarierja Meri Kaceri. Vaso ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, nga ku bëri edhe një deklaratë për ngjarjen.
Gila u ndalua nga policia, pas një ndjekjeje nga forcat e rendit. Ai ra nga një lartësi poshtë shinave të trenit, duke pësuar një dëmtim në këmbë. Në momentin e kapjes ka thënë: “E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb këmba shumë.” Më pas është dërguar për trajtim mjekësor dhe ka dhënë dëshminë e parë përpara hetuesve.
Në deklaratën e dhënë në polici, 30-vjeçari ka pohuar se objektivi i tij ishte vetëm Erogen Vaso, me të cilin pretendon se kishte një konflikt personal.
Burime nga grupi hetimor po verifikojnë nëse Gila ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë.





