Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste, shprehu mbështetjen e Partisë Socialiste për reformën në drejtësi.

Rama tha se asnjë person i cili ushtron aktivitet në llogoren e PS nuk do të lejohet të sulmojë organet e drejtësisë.

Shefi i qeverisë tha se institucionet e reja të drejtësisë nuk janë në nivelin e duhur, por shtoi se përmirësimi i legjislacionit do të bëhet vetëm pasi të marrë mbështetjen e Komisionit Evropian.

“Kush nuk është dakord me këtë qasje të dhimbshme nuk është për këtë punë, nuk duhet të merret me politikë në llogoren e PS, ka të gjithë të drejtën e vetë të ketë një qasje tjetër, por jo në radhët e PS. Bebja nuk hidhet poshtë bashkë me ujin e pisët, thotë një fjalë e mençur e miqve tanë përtej Adriatikut.

Duhet durim heroik dhe kujdes prej okulisti që uji i psitë të pastrohet ngadalë, të pastrohet nga vetë institucionet e qeverisjes e gjyqësorit në radhë të parë, pasi pastrimi i atij uji të pistë është pjesë e misionit të tyre ligjor.

Ndërsa ne duhet ta mbështesim përmirësimin e sistemit të drejtësisë me ligje të reja, por këtu ka dhe një por tjetër, pasi asnjë ndryshim në legjislacionin e drejtësisë sado i nevojshëm të duket, këtu për ne nuk ka për të ndodhur me votat tona pa marrë miratimin e Komisionit Evropian. Jam i vetëdijshëm që kjo që kemi është ende larg drejtësisë që duhet të kemi,” tha Rama.a