Kryeministri Edi Rama vijon me sulmet e tij ndaj gjyqtarëve.
Përmes një postimi në Facebook, krahas fotos së gjyqtarit Boshku, thotë se ai ka punuar për të rikthyer në detyrë një ish-drejtor rajonal të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), i larguar për ndërtim pa leje dhe mashtrim me dokumente zyrtare.
Rastin e cilëson tejet skandaloz, teksa shkruan:
Pa asnjë gajle fare, gjykatësi Boshku, ka vendosur të kthejë fishek në detyrë një shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar, e për pasojë edhe të larguar nga detyra e të çuar në prokurori! Rasti është i ububushëm!
Drejtuesin rajonal të AMP, që sipas tij e ka rikthyer në detyrë ky gjykatës, e quan “birbo pa din e iman”.
“Jo vetëm kishte marrë pjesë në një ndërtim pa leje në Ksamil (i denoncuar nga njerëzit e zonës), po edhe kishte mashtruar me shkrim, duke pretenduar legalizimin e ndërtimit, me gënjeshtrën se ndërtimi ishte bërë në 2018-ën”, shton kreu i qeverisë.
Edhe ky rast, si ato më parë, thekson se do i përcillet KLGJ-së dhe ILD-së.
“Ndërsa me birbon uroj të merret seriozisht drejtësia…”, shkruan Rama.
Në mbyllje, ka një mesazh të qartë e paralajmërues për gjykatësit.
“Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, e duke dhënë vendime haptazi të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e lartpërmendura të vetëqeverisjes së gjyqësorit, po edhe në sytë e opinionit publik”, përfundon numri një i kabinetit.





