Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në kushte të rënda izolimi në burg. Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se Veliaj nuk lejohet të takohet me askënd dhe se është përfolur se është goditur, madje edhe se ka pasur tentativa të tjera ndaj tij.
“Gjithçka është në shqyrtim, nuk ka asnjë lloj vendimi. Së pari u faktua se kush e burgosi Erion Veliajn, dhe për ç’qëllime e burgosi. Nuk kemi keqardhje se, Erion Veliaj e meriton 100 herë. Ato akuza dhe një mal tjetër shumë më i madh duhej të rëndonin mbi të. Por nga tjetër, shkelmimi i të gjitha normave elementare të të drejtave të njeriut. E keni marrë vesh, se atje nuk mund ta takojë njeri atë. Nuk e takon njeri. E keni marrë vesh, thuhet se e kanë goditur, për të mos thënë tentativa të tjera, me ushqim e pa ushqim, gjëra, se kur nuk ka asnjë lloj transparence, dhe tani bënte të paditurin ky. Ky që i organizon të gjitha, thoshte bëjnë këtë dhe këtë. Pra, kjo është,” tha Berisha.





