Lihen në burg dy vëllezërit Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka, të cilët akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës, më 8 korrik të këtij viti.
Sot në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër, ndaj dy të dyshuarve ( të cilët u arrestuan dje) u vendos masa e sigurisë më “arrest me burg”.
Sipas burimeve nga gjykata, seanca nuk ka kaluar pa tensione.
Mësohet se gjatë shqyrtimit të masës, ka pasur përplasje verbale dhe debate të ashpra mes të akuzuarve dhe trupit gjykues.
Kristi dhe Aleksandër Bushgjoka akuzohen se fillimisht kanë rrëmbyer Renis Dobrën, dhe më pas e kanë vrarë në rrethana që ende po hetohen nga autoritetet.
Nga hetimet dyshohet se 2 të ndaluarit, në bashkëpunim me vëllanë e tyre, shtetasin Fatjon Bushgjokaj dhe me shtetasin Petrit Çakrri 55 vjeç (të arrestuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”), kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng shtetasin Renis Dobra 23 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet në liqenin e Ulzës, Shkopet.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, si të dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim.
Eliminimi i 23-vjeçarit Dobra ishte vënë në jetë pas një plani të mirëmenduar. Për të kryer vrasjen, vëllezërit Bushgjokaj dhe Çakrri kanë marrë disa makina me qira, në Rinas dhe Yzberisht, të ndryshme çdo ditë për të paktën 72 orë me radhë kur kanë survejuar lëvizjet e Dobrës.
Përmes kësaj skeme shpresonin të ishin të vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet. Madje, makinave kanë tentuar t’u heqin edhe GPS-in, por nuk kanë mundur. Pasi policia identifikoi auromjetet përmes pamjeve, kuptoi se ishin marrë me qira, dhe më pas, përmes gjurmimit të GPS-së u dokumentuan me prova të gjithë lëvizjet kriminale për eliminimin e 23-vjeçarit.
Vëllai më i vogël, Aleksandër Bushgjokaj, dyshohet se në krim ka bashkëpunuar për nxjerrjen për në Kosovë të vëllait tjetër, po me makinë të marrë me qira.
Pasi e vranë, autorët e futën trupin e 23-vjeçarit në makinë dhe e hodhën në Liqenin e Shkopetit me qëllim për të fshehur ngjarjen, por trupi i pajetë i të riut ka dalë jashtë, ndërsa mjeti përfundoi në ujë.
Ndaj Petrit Çakrri rëndojnë akuzat “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”, ndërsa Fatjon Bushgjoka akuzohet për “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”.





